Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar arrestimin e Dritan Rexhepit, i cili u kap në Turqi para disa ditësh.
Ajo zbuloi se gjatë një bisede me nënën e tij para 3 vitesh, ajo i ka zbuluar se gjatë kohës që i biri mbahej në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador, ata komunikonin 3 herë në javë. Po ashtu Rexhepit i ishte mundësuar dalja në një kamp publik ku takohej me bashkëshorten e tij ekuadoriane.
Ajo shtoi më tej se Rexhepi drejtonte 14 grupe kriminale nga burgu në Ekuador, ndërsa një agjent i DEA-s e ka cilësuar atë si një nga njerëzit kryesorë të botës së krimit atje.
Sakaq, gazetarja zbuloi se Rexhepi kishte krijuar lidhje të forta në Bolivi, Ekuador e Kosta Rika, por gjithashtu ishte përfshirë në armiqësi me kartelet, ndaj edhe atij i leverdiste që për një kohë të caktuar të qëndronte në burg.
“Dritan Rexhepi qëndronte në një nga lagjet më të pasura të Turqisë. Mendohet se ka hyrë rreth dy muaj më parë në Turqi me një dokument fals. Mund të jetë arrestimi më i rëndësishëm nga bota e krimit vitet e fundit.
Kam shkruar te shtëpia e prindërve të tij në Vlorë dhe kuptova sa personazh i rëndësishëm i kësaj bote është. Më priti nëna e tij, një grua e moshuar, janë 4 fëmijë. Aty mësova se Rexhepi ishte martuar nga burgu me një shtetase nga Ekuadori dhe ishte bërë baba i një djali. Nuk gjeta asnjë foto të tijën në muret e shtëpisë, por as në albumet e familjes. Nëna e tij më rrëfeu detaje nga jeta e tij.
Nëna e tij po rrinte me telefon në dorë dhe do merrte disa ilaçe. Një zonjë e afërt erdhi dhe e mori Dritani Rexhepi nga një vend afër burgut të sigurisë së lartë në Ekuador. Ajo tha që flisnin 3 herë në javë dhe më pas ai qëndronte në një kamp të hapur ku rrinte me bashkëshorten e tij. Janë 14 grupe kriminale që drejtoheshin nga Dritan Rexhepi nga burgu në Ekuador.
Një agjent i DEA-s ka folur për Dritan Rexhepin duke e konsideruar si një nga njerëzit kryesorë të botës së krimit atje dhe kishte njohje dhe lidhje të forta edhe me politikën në Ekuador duke pastruar shifra marramendëse parash. Dritan Rexhepi ka marrë një avokat shqiptar dhe kanë ngritur një ekip të jashtëzakonshëm ligjor në Shqipëri, Itali, Turqi dhe Ekuador.
Rexhepi ka krijuar lidhje të forta në Bolivi, Ekuador dhe Kosta Rika, por gjithashtu kishte krijuar shumë armiqësi me kartelet në Amerikën e Jugut, ndaj edhe i leverdiste që për një periudhë kohe të qëndronte në burg”, u shpreh ajo.