Një operacion i zhvilluar sot në Vlorë nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, i cili kishte si qëllim çlirimin e hapësirave publike të zëna nga biznese private, është shoqëruar me tensione dhe dhunë.
Gjatë ndërhyrjes së autoriteteve, katër qytetarë kanë kundërshtuar aksionin, duke kaluar në konflikt fizik me drejtorin e IMT-së dhe një inspektor përgjegjës. Ngjarja është regjistruar në zonën e hyrjes së qytetit të Vlorës.

Situata ka agravuar deri në atë pikë sa është dashur ndërhyrja e Policisë Rrugore për të rivendosur rendin. Gjatë përpjekjeve për të qetësuar konfliktin, një punonjës policie është goditur, çka e ka detyruar atë të përdorë armën e shërbimit duke qëlluar paralajmërues në ajër.
Personat e ndaluar janë Irfan Dalipaj, 58 vjeç, dhe dy djemtë e tij, Drisild Dalipaj, 27 vjeç, dhe Fabio Dalipaj, 23 vjeç.
Pas incidentit, në vendngjarje janë thirrur forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit personat e përfshirë, për procedurat e mëtejshme ligjore.
“Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.