“Do t’i kërkoja Ramës që të zëvendësohesha nga Agroni”- Ministrja Balluku bën deklaratën e papritur

576
0

Ministrja Belinda Balluku, ka komentuar listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe rreth punës së saj ndër vite për PS.

Referuar përzgjedhjeve të fundit për kandidatë të PS, Balluku tha se ndihet krenare kur sheh figura si inxhinierja Luljeta Bozo dhe shefja e infektivit Najada Çomo në listën e PS.

“Marrë shtysë nga të gjitha përzgjedhjet që janë bërë ditët e fundit, të shikosh Luljeta Bozon apo doktoreshë Najadën mbushesh me krenari sepse mendon që pragun e parlamentit do ta kalojnë njerëz që kanë vlera dhe kanë kontribuar në këto dy vite të vështira, dhe kanë qenë heronjtë e Shqipërisë.”

Balluku shtoi se nëse Agron Hysenlliu do të ishte gjallë, ajo do t’ia kërkonte vetë kryetarit që të zëvendësohej nga ai

Hysenlliu për disa vite me radhë mbajti postin e drejtorit të Institutit të Ndërtimit, dhe humbi jetën pak kohë më parë si pasojë e infektimit me Covid.

“Nëse Agron Hysenlliu do ishte gjallë unë do kisha bërë një veprim publik dhe do i kërkoja kryetarit që të zëvendësohesha nga Agroni.”

Ajo tha se për të nuk është fare e rëndësishme të qenit ose jo në listë dhe se do vazhdojë të kontribuojë për PS-në kudo dhe për sa kohë do të jetë e nevojshme.

“Unë e kam një angazhim politik nga viti 2006, nuk jam shkëputur ndonjëherë nga PS kam qenë gjtihmonë e angazhuar, do të jem gjithmonë e angazhuar. Në opozitë kam bërë angazhimin tim më të madh, nuk më bën ndonjë ndryshim sepse lidhja me partinë nuk bën ndryshim a je në opozitë apo në pushtet është lidhje shpirtërore dhe në kontribuojmë në të njejtën mënyrë. Do të vazhdoj të kontribuoj aty ku partia do të ketë nevojë dhe aq sa të ketë nevojë,” tha Balluku në klan.