«Do të jem me ty në dhimbjen tënde, sepse jam nëna jote. Kjo është detyra ime.»

520
0

” Vajza ime e ëmbël, e dashur!

Më copëtohet zemra teksa shkruaj këtë letër. Tani për tani ti je mishërimi i qetësisë, gëzimit, pastërtisë dhe thjeshtësisë. Ti qesh me gjithçka dhe më bën të kuptoj sa e bukur është jeta. Por ti po rritesh. Së shpejti nuk do të jesh më thjesht vajza ime, do të bëhesh një zonjushë. Sot më shumë se kurrë, duke të vështruar, pashë veten tek ti. Kjo më bën krenare, por edhe më frikëson. Sepse do të thotë që një ditë bota jote nuk do të “rrotullohet” më rreth meje dhe princeshave kukulla, por në jetën tënde do të futen edhe njerëz të tjerë. Kështu që unë dua që ta marrësh këtë letër dhe ta hapësh atë në një ditë të keqe. Sepse një ditë, dikush do të thyejë zemrën tënde. Dhe do të jetë e tmerrshme.

E di që është e vështirë ta imagjinosh, por edhe unë dhe babi yt ishim të rinj, kemi ndjekur modën e fundit, kemi qëndruar jashtë deri vonë, kemi bërë shumë gjëra në fazën tonë të parë si të dashuruar me njëri-tjetrin. Kur të ndodhë që dikush të thyejë zemrën, do të ndihesh shumë keq. Do t’i ndjesh gjymtyrët shumë të pafuqishëm, do të humbasësh buzëqeshjen që tani të karakterizon. Do të ndihesh vetëm. Dhe kur të ndodhë kjo, të lutem më telefono. Unë nuk do të gjykoj. Kurrë.

Nuk do të them “Më mirë që je pa të, ai nuk të meritonte”, sepse e di që në atë moment nuk do duash të dëgjosh atë nga unë. Nuk do të them, “Të kisha paralajmëruar”. Sepse edhe unë dikur i kam injoruar këshillat e të tjerëve. Nuk ka gjë që dua më shumë se lumturinë tënde. Nëse kur të thyhet zemra do të duash që të mbaj në krahë si tani, do ta bëj. Nëse do duash të fle pranë teje, siç bëj tani kur je sëmurë, do ta bëj. Do të jem me ty në dhimbjen tënde, sepse jam nëna jote. Kjo është detyra ime.

Kur ishe tre vjeçe më kërkoje të ndalja shiun dhe unë nuk mundesha. As kur dikush të thyejë zemrën nuk do të mundem ta ndaloj, por mund të premtoj se do të ndalojë vetë në një moment. Ti do të gjesh personin e duhur, por para se të ndodhë kjo, duhet të gjesh veten. Sepse kur përjeton dhimbjen në gjithë thellësinë e saj, mëson se kush je me të vërtetë. E njëjta gjë më ndodhi dhe mua. Më thyen zemrën e më pas takova babin tënd. Por nuk më shpëtoi ai. Unë shpëtova veten time!

Edhe nëse unë do të jem me ty në momentet e tua të vështira, nuk do të jem unë ajo që do të shpëtojë ty, ti do të shpëtosh veten tënde.

Ti po rritesh me hapa të mëdhenj, por ka disa gjëra që do të mbeten të pandryshuara. Pasioni për jetën. Fuqia që merr kur dëgjon muzikë. Dhembshuria që ke për çdo gjallesë, qoftë edhe për një krimb në tokë. Sytë e tu plot jetë. Gjithçka do të jetë ende atje. Dhe kur të jesh e detyruar të shërosh veten e krahët për fluturim, nuk do të ketë gjë më të bukur në univers. Ta dish, pavarësisht sesa dëshirë kam të të mbaj këtu pranë vetes, unë mezi pres të shikoj të fluturosh. Do të të thyejnë zemrën, por ti do t’i shërosh krahët sërish. Dhe dije se ke gjithçka që të duhet për të fluturuar. Me dashuri, mami! ”/Burimi ”Për nënat”