Skip to content

Do martohej në gusht, por u vra dhe iu fsheh trupi – Flet vjehrra e shqiptarit të vrarë në Itali

    Fjalët e vjehrrës së viktimës

    Ka folur vjehrra e të riut të vrarë, e cila nuk e fsheh dot zemërimin:
    “Gabime bëhen, sot im bir, nesër i juaji. Por të fshehësh trupin e një njeriu nuk është normale. Ai do të martohej më 28 gusht, kishte një djalë tre vjeç e gjysmë. Nuk kishte precedentë penalë. Nuk e meritonte këtë fund.”
    Fjalë të mbushura me dhimbje që tregojnë ndjesinë e braktisjes që ka ndjerë familja:
    “Askush nuk na dëgjoi. Vetëm karabinierët e Salernos na dhanë një dorë. Të tjerët kthyen kokën anash.”


    Akuza për racizëm

    Sipas saj, çështja është trajtuar me sipërfaqësi për shkak të paragjykimeve racore:
    “Janë racistë. Pasi gjetën trupin, rreth shtatëdhjetë veta u mblodhën pranë vendit dhe pinin. Ai bëri gabim, por ishte ligji që duhej të vepronte. Drejtësia nuk bëhet me hakmarrje.”


    Fjalët e kryetarit të bashkisë Centola

    Kryetari i bashkisë së Centola-s, Rosario Pirrone, ka bërë thirrje për qetësi:
    “Kam folur me familjarët e viktimës. U këshillova të ruajnë qetësinë dhe të besojnë te drejtësia.”
    Për tensionet në zonë, ai shtoi:
    “Forcat e rendit janë të pranishme vazhdimisht në territor për të mbajtur rendin dhe qetësinë, sidomos në një moment kaq delikat. Deri tani nuk kemi sinjale për episode dhune.”

    Ai iu referua ngjarjes së ndodhur natën e kaluar në Foria, ku rreth tridhjetë miq e familjarë të viktimës u mblodhën përpara banesës së 60-vjeçarit që kishte qëlluar me armë natën e grabitjes së supozuar. Një veprim që, sipas disa zërave, mund të ishte pararendës i një përballjeje të drejtpërdrejtë apo edhe një hakmarrjeje.


    Hetimet

    Pronari i vilës në periferi të Centola-s, në provincën e Salernos, është në hetim për vrasje dhe fshehje të kufomës.
    Sipas hetuesve, të dielën e kaluar aty ndodhi një tentativë grabitjeje nga tre persona, ndaj të cilëve pronari hapi zjarr, duke plagosur dy dhe duke lënë njërin të vdekur.
    Ai e ka pranuar përgjegjësinë dhe i ka çuar hetuesit në vendin ku ndodhej trupi i pajetë i një shtetasi shqiptar, i mbështjellë me çarçafë në fund të një greminë.
    Sipas burimeve hetimore, viktima dyshohet të jetë pjesë e grupit të grabitësve. Sipas mënyrës së gjetjes së trupit, duket se ai nuk ka vdekur në vendin e ngjarjes, por është transportuar dhe fshehur më pas.

    Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Vallo della Lucania dhe po zhvillohen nga karabinierët e kompanisë Sapri, të cilët po punojnë për të rindërtuar saktësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse ka të tjerë të përfshirë.


    Shtënia ndaj grabitësve, dhe një “ekspedicion ndëshkues”

    Një “ekspedicion ndëshkues” është organizuar ndaj sipërmarrësit që qëlloi ndaj grabitësve që hynë në banesën e tij, duke plagosur dy, njëri nga të cilët u gjet i vdekur ditën e sotme.

    Natën mes së hënës dhe të martës, rreth tridhjetë shtetas shqiptarë që kishin ardhur nga zona e Casertas me makina luksoze, u mblodhën pranë banesës së sipërmarrësit në Foria të Centola-s.
    Ndërhyrja e menjëhershme e karabinierëve parandaloi çdo përplasje, por zona është nën vëzhgim të vazhdueshëm.
    Mes të pranishmëve ishin edhe të afërm të 20-vjeçarit të plagosur, i cili ndodhet në gjendje spitalore në Cardarelli të Napolit dhe është nën hetim për tentativë grabitjeje. Edhe pronari i banesës është nën hetim.


    Reagimi i politikës lokale

    Ka reaguar edhe këshilltari rajonal i Legës, Aurelio Tommasetti:

    “Shpreh solidaritet me sipërmarrësin që është kërcënuar për faktin që mbrojti shtëpinë e tij. Është absurde që dikush që mbron pronën e vet të përfundojë nën hetim. Ky ‘ekspedicion ndëshkues’ është një devijim i papranueshëm. Tani qytetari ynë, tashmë i tronditur nga hyrja e grabitësve në shtëpinë e tij, duhet të ketë frikë edhe për jetën dhe familjen e tij. Falënderoj forcat e rendit që po bëjnë çmos për sigurinë e tij. Kërkoj tolerancë zero për këdo që ndërmerr veprime kërcënuese apo të dhunshme. Kush nuk respekton ligjet tona, le të kthehet në vendin e tij.”