Do kujdesej për tezen në spital / E reja nga Lushnja që humbi jetën duke pritur autobuzin, studente për infermieri

12484
0

Elisa Doka është 20-vjeçarja shqiptare që humbi jetën në aksidentin tragjik të ndodhur mëngjesin e sotëm në Patrida Veria, Greqi.

E reja me origjinë nga Lushnja, ishte duke pritur autobusin në stacion kur u përplas nga një automjet që humbi kontrollin. Bashkë me shqiptaren, në stacion ndodhej edhe një 68-vjeçare që po ashtu humbi jetën.

Elisa nuk jetonte në Veria, por kishte shkuar në fshatin Patrida për të takuar tezen e saj pasi do t’i nënshtrohej një operimi ditën e sotme. Bashkëshorti i tezes së saj duke folur për mediat greke ka treguar se vajza ishte nisur për në spital, por aksidenti i mori jetën.

“Une nuk di asgjë. Ajo nuk jetonte këtu. Unë qëndroj këtu dhe ajo erdhi për të parë tezen e saj, gruan time. Gruaja ime do të operohej në 8 të mëngjesit dhe unë u ngrita në 6 dhe u nisa me kunatën time dhe e lamë në shtëpi sepse kam dy djem”.

Ai tha se 20-vjeçarja do shkonte me të spital që herët në mëngjes, por ajo nuk kishte pranuar pasi donte të përcillte kushërinjtë në shkollë.

“Më tha: ‘Shko ti më mirë, unë do të vij me autobus që fëmijët të shkojnë në shkollë’. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Të gjithë jemi të tronditur. Ajo do vinte me autobus në spitalin ku isha unë me gruan time”.

Vajza shqiptare studionte për infermieri dhe te tezja kishte shkuar për t’u kujdesur për të pas operimit.

Shoferi 64-vjeçar i cili dyshohet se nuk ishte mirë kur shkaktoi aksidentin është arrestuar. Njëkohësisht, 64-vjeçari pritet t’i nënshtrohet ekspertizave dhe analizave të gjakut për të zbuluar përqindjen e alkoolit në organizëm.