Djegia e 2-vjeçares me cigare, zbulohen detaje tronditëse

218
0

Dalin në dritë detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë, ku një vajzë 2-vjeçare u dërgua në spital me shenja djegieje të shkaktuara nga cigarja. Fëmija u dërgua në spital vetëm pas disa ditësh kur dhe plagët ishin infektuar, ndërsa vëllai që e dogji në rrethana të paqarta nuk flet për këtë dhe prej kohësh nuk shkon as në shkollë.

E vogla u dërgua në spital nga halla e saj, e cila atje tha se fëmija kishte ftohje, sipas një raporti të rtsh.

E ndërkohë mjekët kanë konstatuar se në trupin e 2-vjeçares kishte plagë të infektuara pas djegies me cigare.

Zyrtarisht policia e Tiranës tha se është paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalin “Nënë Tereza”, e shoqëruar nga nëna e saj, një vajzë 2 vjeçe, të cilën e ka djegur aksidentalisht (duke luajtur me një bisht cigare) vëllai i saj i mitur 9 vjeç”.

Ndërsa djali 9-vjeçar, vëllai i vogëlushes, ka pranuar në prezencë të psikologes se është ai shkaktari i ngjarjes.

“Sot janë bërë dy ekspertiza mjeko-ligjore për vajzën: njëra se vajza dhe mund të jetë abuzuar seksualisht dhe tjetra për të verifikuar kohën kur janë bërë plagët.

Nga hetimet e deritanishme nuk ka të dhëna që vajza të jetë dhunuar apo djegur nga persona të tjerë të familjes, dhe as të jetë abuzuar seksualisht me të, siç u spekulua në disa media, kjo e vërtetuar me analizat e kryera nga ekspertiza e mjekëve-ligjorë.

Në rezultatin e parë të ekspertizës ka rezultuar se nuk është abuzuar, ndërsa në ekspertizën e dytë rezultoi se plagët janë marrë 5-6 ditë para sjelljes në spital.

Ditën e djeshme vajza u transportua në reanimacion. Vajza është në gjendje të stabilizuar, ndërsa djegiet janë të gradës së dytë.

Komisariti nr.4 mësohet se ka nisur procedurën për t’i dërguar të miturit te shërbimi social, pasi prindërit, “në gjykimin e komisariatit, nuk ishin në gjendje të kryenin detyrën e prindërimit”.

Sakaq, djali 9-vjeçar nuk ndodhet në një gjendje të mirë psikologjike, për shkak të plagëve që i ka shkaktuar motrës. Megjithatë ai nuk i ka treguar shkaqet.

Familja jeton në periferi të Tiranës në një shtëpi përdhese me kushte të rënda social-ekonomike.