Skip to content

“Dikur flija në stola, sot jam në shkollë të lartë!” Ëndrra e realizuar e një jete plot me trazira

    “Sot jam 40 vjeçe, them kam arritur atë që kam dashur”. Kjo ishte fjalia e parë e Anjezës në nisje të rrëfimit në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Përgjatë 40  viteve të jetës së saj, ajo është ndier sikur nuk i përkiste asnjë vendi, e tepërt, ka ndier mungesën e dashurisë, gërryerjen e urisë, dhunën, pafuqinë për t’i dhënë një jetë më të mirë djalit dhe humbjen e shpresës.

    Në të gjitha këto, ka gjetur edhe forcën për të mos u dorëzuar në asnjë moment. Pas divorcit me bashkëshortin e dhunshëm, Anjeza u përpoq që jeta e saj dhe e djalit të merrte një orientim tjetër.  Njëkohësisht,  ajo nuk dëshironte në asnjë moment që djali të kishte fatin e saj dhe të mos afrohej me  të atin.

    Ajo dhe djali u vendosën në Vlorë dhe disi arritën të sistemoheshin, edhe pse Anjeza ndien peshën e fajit  që djali s’ka kaluar një fëmijëri të bukur. Gjithsesi ia doli të gjente një punë dhe aty ndodhi edhe realizimi i ëndrrës së saj të parë: të përfundonte  shkollën e mesme. Në rrugën e saj u gjend njeriu i parë që e përkrahu në këtë rrugëtim.