Dhuratë para zgjedhjeve/ Ja kur nis shpërndarja e bonusit të pranverës për pensionistët

3
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas debatit dhe polemikave në rrjetet sociale lidhur me bonusin e pranverës për pensionistët.

Në një postim në Twitter, ai ka publikuar vendimin e qeverisë dhe ka theksuar se flet me përgjegjësi të plotë, duke mohuar pretendimet se bonusi nuk do të shpërndahet.

Rama njoftoi gjithashtu datën konkrete të nisjes së shpërndarjes së bonusit, e cila do të jetë 1 mars 2025.

“Jo vetëm që unë nuk gënjej, por flas me përgjegjësi të plotë për çka ka të bëjë me detyrën që më ka dhënë populli. Meqë vizion kanë akuzën, program kanë shpifjen dhe forcë udhëheqëse kanë gënjeshtrën, kudo, kurdoherë e për çdo gjë, e përhapën edhe lajmin që s’ka bonus për pensionistët! Por ja që vendimi për bonusin është marrë që në 9 janar dhe shpërndarja nis më 1 mars. Ta gëzojnë pensionistët dhe Zoti paftë e bëftë për ata që luajnë edhe me nervat e tyre,” shkruan kryeministri.

Vendimi për bonusin ishte marrë më herët nga qeveria, por spekulimet në rrjetet sociale kishin ngritur dyshime për ekzekutimin e tij. Me këtë reagim, kreu i qeverisë ka sqaruar se shpërndarja do të ndodhë sipas planit të përcaktuar.