Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Mjedë në Vau Dejës, ku një fëmijë 3-vjeçar ka ndërruar jetë, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në spitalin e Tiranës.
Sipas raportimeve, vogëlushi është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ka marrë një serum dhe më pas është larguar me prindërit. Mjekët kishin rekomanduar që ai të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme, por familjarët kanë firmosur për ta çuar në shtëpi.
Të nesërmen, gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm dhe është rikthyer me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në reanimacion.
Ndërkohë, motra e tij 7-vjeçare ka shfaqur simptoma të ngjashme dhe është transportuar menjëherë drejt spitalit në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Ajo ndodhet në gjendje kritike, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar. Shkaqet e kësaj tragjedie mbeten ende të paqarta.
Aktualisht, po kryhen analizat toksikologjike për të përcaktuar shkakun e sëmundjes që preku dy fëmijët, ndërsa burime pranë Spitalit të Shkodrës kanë përjashtuar infeksionin nga meningiti.
Nëna e fëmijëve, e cila është shtatzënë, ndodhet nen kujdesin e bluzave të bardha.
Autoritetet dhe mjekët po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje tragjike.