Skip to content

Rrezikoni deri në 20 vite burg, mos e bëni kurrë këtë gabim në Shqipëri

    Gjatë katër ditëve të fundit shtatë persona kanë rënë në pranga si përgjegjës për ndezjen e disa zjarreve në vend.

    Në disa raste, vatrat e flakëve dolën jashtë kontrollit duke rrezikuar jetën e qytetarëve, pronat, tokat dhe bagëtitë e tyre.

    Përveç të arrestuarve, nën hetim janë vënë edhe shtatë persona të tjerë për disa vatra në Sarandë, Fier, Kurbin, Dibër, Poliçan dhe Shkodër.

    Nëse këta persona vërtetohen se janë përgjegjës të ndezjes së zjarreve, Kodi Penal i Shqipërisë parashikon dënime të rënda.

    Më konkretisht, futen te veprat penale kundër mjedisit të parashikuara në nenet 206/a dhe 206/b.

    Neni 206/a parashikon veprën penale “Shkatërrimi i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

    Sipas këtij neni, “shkatërrimi apo dëmtimi me dashje, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet”.

    Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me burgim nga pesë deri në 15 vjet.

    Kur kjo vepër ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga dhjetë deri në 20 vjet.

    Ndërsa neni 206/b parashikon veprën penale “shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

    Sipas këtij neni, “shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet”.

    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

    Kujtojmë se së fundmi, Shqipëria është përballur me disa situata problematike si pasojë e vatrave të zjarrit.

    Më rëndë ishte ajo në Delvinë ku u detyrua evakuimi i tre fshatrave. Njëkohësisht mbeti i lënduar edhe shefi i Komisariatit të Delvinës, Agim Troci, i cili ndërhyri për të shpëtuar disa banorë.

    Në terren përveç forcave zjarrfikëse, policisë, ushtrisë dhe emergjencave civile janë vënë edhe helikopterët apo avionë të Mbrojtjes Civile Europiane, në përpjekje për të shuar zjarret.