“Cmendet” Bordi, Cmimi i naftes kap rekord te ri, shikoni sa e ka ngritur sot

616
0

Çmimi i karburanteve në vend do të shënojë prej orës 6:00 të pasdites së sotme një rekord të ri, që kurse është vendosur Bordi i Transparencës.

Nafta do të shitet me pakicë me 258 lekë për litër, 10 lekë më shumë se sa çmimi aktual, ndërsa benzina do të tregtohet me 243 lekë për litër. Gazi është lënda e vetme që i ka shpëtuar rritjes, me çmimin maksimal të vendosur në 86 lekë për litër.

Që prej vendosjes së sanksioneve ndaj naftës ruse, çmimi në bursa ka prekur nivelin e 122 dollarë për fuçi, por një rritje më të madhe ka pasur për produktin e gatshëm që përpunojnë rafineritë. Nafta diezel vjen në port me një çmim prej 1370 dollarë për ton, nga afërsisht 800 dollarë për tonë para luftës në Ukrainë.

Ekspertët parashikojnë që një lehtësim i mundshëm mund të vijë vetëm në Korrik, atëherë kur vendet e OPEC kanë planifikuar të rrisin prodhimin.

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 08. 06. 2022

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 8 Qershor 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Sqarojmë se:

Çmimet e miratuara nga Bordi, të cilat reflektojnë çmimet e nënprodukteve në Bursë, detyrimet doganore/tatimore që aplikohen, si dhe marzhet bruto maksimale të tregtimit, (përfshijnë edhe TVSH-në), janë çmime tavan dhe asnjë operator ekonomik nuk mund të tregtojë këto nënprodukte tej Vendimit të Bordit.

Çdo Operator ekonomik me shumicë dhe pakicë është i lirë t’i tregtojë këto nënprodukte me çmime më të ulëta se çmimet maksimale të miratuara nga Bordi.

Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të  jetë 258 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 246 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë 243 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 231 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.

(Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë