Shënohen 2 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Shëndetësisë, konfirmoi pasditen e kësaj të premteje se bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh nga Dibra e Madhe.
Të prekurit me virusin e rrezikshëm ishin kthyer në Maqedoni nga Italia, disa ditë më parë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një konferencë për mediat deklaroi se gjendja e dy pacientëve është e qëndrushme dhe do të transportohen në klinikën infektive të Shkupit.
“Kanë fotografi shumë të lehtë klinike, një formë e lehtë e infeksionit në pjesën e sipërme respiratore, pra grip”, deklaroi Filipçe.
Për shmangien e përkeqësimit të çdo situate Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar ndalimin e të gjitha tubimeve dhe ngjarjeve të mëdha publike.
Gjithashtu është kërkuar edhe zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë deri më 13 mars.