Fundjava pritet të jetë me mot të paqëndrueshëm. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve nuk do të mungojnë as reshjet afatshkurtra të shiut.
Hakil Osmani, Meteoalb: Vijojnë të jenë prezente këto vranësira në territorin shqiptar përgjatë ditës së shtunë duke bërë që herë pas here të pësojnë zhvillime dhe parashikohet që në zonat malore të kemi edhe rrebeshe afatshkurtra shiu, ndërsa pjesa tjetër e Ultësirës Perëndimore pritet të ketë vetëm momente të pakëta me pika shiu. Përsa i përket ditës së dielë, parashikohet që vranësirat të jenë prezente të paktën në orët e mesditës dhe pasdites një pjesë të mirë të territorit shqiptar duke bërë që të kemi vetëm reshje të izoluara shiu, por duke filluar orët e pasdites dhe të mbrëmjes kemi një përmirësim gradual të kushteve të motit.
Vlerat maksimale të temperaturave do të ulen me 3-4 gradë.
Hakil Osmani, Meteoalb: Fundjava sjell rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet në rang territori të zbresin rreth vlerës 23-24 gradë Celsius duke bërë që të jenë tipike për vjeshtën.
Ndërkohë që problematikë do jetë dhe parametri i erës.
Hakil Osmani, Meteoalb: Parametrat e erës herë pas here shfaqen problematike kryesisht gjatë ditës së shtunë duke bërë që të jetë me një shpejtësi edhe 65 apo 70 km/h në intervale të shkurtra kohore, por më pas kemi rënie të intensitetit të saj.