Ç’është kjo “luftë me mësuesit”?!

680
0

“Ka fillu t’na verboj dielli. Ma fort po dashurojmë errësirën. Po a ecën kuturu njeri?! Po shkelmojmë djathin. Do t’i pimë hirrën”!

Çuditërisht shoqëria jonë e sotme ka filluar rëndom një luftë të ashpër me mësuesit e të gjithë cikleve. Gjithkush sot është i dhanun të luajë paparacin dhe spiunin e dalë boje vetëm e vetëm me kap mat mësuesit.

Një Zot ndoshta mund ta dijë se ç’sëmundje i ka zënë sot qytetarët e Shqipnisë. Pse gjithë ky mllef e urrejtje është shfaq sot në zemrat e shqiptarëve?! Po vëllezër e motra bashkëmoshatar të mi përse e lejoni, përse heshtni kur po shohim çdo ditë video me sekuenca të filmuara nga fëmijët tanë nëpër klasa?

Fëmijët tanë sot po shndërrohen në paparacë e spiunë të pa moralshëm ku në vend të shfletojnë librat dhe fletoret, mbajnë telefonat në gatishmëri për të filmuar çdo veprim të mësuesit. A po mendoni ju prindër të dashur se fëmijët tanë po bastardohen në mënyrën më të keqe?

A po mendoni ju prindër se ndoshta nesër do të jetë djali apo vajza juaj mësues dhe natyrisht viktima e medias se shkanulluar vizive. Thua ju vëllezër e motra ta keni flakur tutje virtytin njerëzor dhe mos ndoshta keni humbur respektin për ish mësuesit tuaj?!

Po cili na qenka ai prind në qytet apo në zonat rurale që s’ja ka ndukur një here veshin fëmijës tij? Përse po ngutemi aq shumë o njerëz. Shoqëria jonë s’e ka arritur akoma atë stad zhvillimi dhe emancipimi sa të pretendojmë se jemi të gjithë të barabartë.

Fundja s’ka demokraci pa centralizëm asgjëkund, as në vendet më të përparuara demokratike. Ata që i japin të drejtë fëmijës së tyre më shume nga ç’e meritojnë, e thënë troç, po i nxjerr fëmijët nga rruga e Zotit.

Gjithë kjo luftë dhe urrejtje për figurën më të nderuar të mësuesit do të na detyrojë të paguajmë një kosto të lartë nesër. Thënë më shkoqur lufta ndaj mësuesve është luftë kundër diturisë dhe emancipimit. Po gjuajmë diellin me gurë ne shqiptarët.

Mëkat i madh jo vetëm për persekutimin që po i bëjmë sot mësuesit, por mbi të gjitha po mbjellim në tokat tona hithra djegës e kastraveca të hidhur. S’besoj të na bëjë amen Europa këtë ves a virus të dëmshëm.

Preng Pjetri, Lezhë