Tefta Malaj mori pjesë në funeralin e vajzës së saj Xhesika këtë të hënë, 16-vjeçares së vrarë me thikë nga baba i saj Taulant Malaj, natën e 7 majit. Ajo doli për disa orë me karrocë me rrota nga spitali ku ende po merr trajtim.
39-vjeçarja e plagosur, e cila i mbijetoi goditjeve të të shoqit, i cili më pas vrau dhe fqinjin e tij me të cilin dyshonte se Tefta Malaj e tradhtonte, mbërriti sot në kishë e rrethuar nga familjarët e saj.
Sipas medieve italiane, në varrim kishte dhe nxënës të shkollave të mesme klasike dhe shkencore të Torremaggiore. “Ishte një vajzë me diell, gjithmonë e qeshur, jemi takuar në korridoret e shkollës dhe ka qenë gjithmonë e gëzuar”, thane miqtë e Xhesikës.
Në fund të varrimit, një kortezh i vogël me nxënës dhe miq të 16-vjeçares, shoqëroi arkivolin përpara gjimnazit Fiani-Leccisoti.
Në një pankartë të vendosur para portave shkruhej “Xhesika i mëson engjëjt të shkaktojnë”, në kujtim të karakterit gazmor të vajzës së ndjerë. “Të shkaktosh do të do thotë të festosh”, shpjeguan disa studentë.
Ndërkohë, avokati që ka marrë në ndihmë Tefta Malaj, ka paraqitur një kërkesë kryebashkiakut të Torremaggiore, Emilio di Pumpo, ku i kërkon ndryshimin e adresës pasi gruaja nuk dëshiron të kthehet të jetojë në shtëpinë ku ndodhi ngjarja.