Boshatisen fshatrat, njerëzit ikin dhe nuk rikthehen më

646
0

Pothuasje të gjitha fshatrat në Elbasan janë braktisur nga banorët. ABC News ishte në fshatin Fikas pranë Metarlugjikut, ku ata pak persona që kanë mbetur, tregojnë se për shkak të numrit të pakët të banorëve nuk ka më as shkolla, as kopshte, as çerdhe.

Këtu në këtë territor kanë mbetur vetëm pak të moshuar. Janë fshatra rreth Metarlugjikut në Elbasan dhe fëmijët janë të paktë në numër. Ndotja po e zbraz zonën. Ky i moshuar thotë se njerëzit nuk kanë çfarë të bëjnë më këtu. Nuk kanë toka, nuk ka punë.

“Po boshatiset se nuk ka edhe tokë, s’ka punë. Tek ne njerëzit ikin dhe nuk rikthehen më”.

Është nga gratë e pakta me fëmijë në fshat. Për ta dërguar në shkollë vajzën ecen kilometra të tëra deri në Bradashesh.

“Aq e vështirë është që… vetë e di. I çoj në mëngjes, vij. I marr në drekë, vij në këmbë përditë”.

Fikas dikur ishte një nga fshatrat më të populluara, por edhe me atmosferë e jetë.

“Ky fshat i ka pas të gjitha aktivitetet sociale. Tani nuk ka asgjë. As shkollë, as çerdhe, as kopësht. Kombinati metalurgjik bën punën e vet me ndotjen”.

“Kanë ik njerëzit. Kanë ngel vetëm pleqtë”.

Braktisja e fshatrave është një fenomen i njohur në Shqipëri. Dukurisë nuk i ka shpëtuar edhe qarku i Elbasanit. Gjatë tre dekadave të fundit ka pasur zhvendosje të popullsisë drejt qyteteve. Një pjesë e mirë e banorëve të zonave të thella malore apo atyre rurale, janë larguar edhe në emigracion.

Aktualisht dhjetëra fshatra në Elbasan, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas janë boshatisur ose kanë numër të vogël banorësh. Sipas parashikimeve të ekspertëve, në vitin 2050 rreth 80% e popullsisë do të zhvendoset drejt qyteteve. Një lëvizje e tillë nuk ofron mundësi të mëdha për realitetin shqiptar pasi qytetet janë duke u përballur vetë me problematika të mprehta siç është papunësia.

Gazetar i ABC News: Fatos Salliu