Nga 1 janari 2019 nis zbatimi i skemës së re të bonuesit të bebeve i cili me vendim qeverie është rritur disa herë në krahasim me vitet e mëparshme. Gjatë prezantimit të flotës së 32 ambulancave të reja për shërbimin e urgjencës, kryeministri Edi Rama kujtoi bonusin e bebeve duke nxitur çiftet e reja me një batutë që pas janarit të lindin fëmijë.
Krahas bursës për ekselentët do japim dhe bursën për ata që vijnë në jetë, bonusin e bebes. Kuptohet që ata që vijnë të parët do e kenë më të ulët, ata që vijnë të dytët do e kenë më shumë, ata që vijnë të tretët akoma më shumë, 400 të parët, 800 të dytët, 1200 të tretët dhe kur vijnë bashkë i marrin po bashkë njësoj. Binjakët marrin 800 të dy, të tretët marrin 1200 të tre. Kështu që duke iu uruar Gëzuar Vitin e Ri dhe duke iu uruar çifteve të reja që të shtyjnë fortë përpara, ju uroj të gjithëve shumë sukses në Urgjencën Kombëtare.