Aleksandër Ramo është shqiptari që po shkruan historinë e tij në boksin përtej Adriatikut. Ai është kampion i Italisë në peshat gjysmë të rënda.
“Kam arritur edhe te 40 më të mirët në botë. Me këtë fitore që bëra, hapen rrugët për të arritur drejt një titulli europian”, tha ai.
Prej disa muajsh 33-vjeçari mban edhe brezin e kampionit UBO Interkontinental.
“Së shpejti mund të bëj edhe mondialin e këtij titulli për kampion bote, titullin UBO. Mund të jetë titulli i pestë më i rëndësishëm në botë”, tha ai.
Ekspertët e boksit në Itali dhe Zvicër e vlerësojnë për teknikën e rafinuar, rezistencën dhe vendosmërinë. Por, jeta në emigrim nuk mund të mbështetet vetëm te sporti.
“Është një sakrificë sidomos kur ndryshon edhe një shtet. Përn momentin po e përballoj edhe stërvitjen edhe punën. Po më kërkojnë të boksoj për Zvicrën”, tha ai.
Arritjet janë të gjitha për flamurin shqiptar dhe Ramo premton një titull në Tiranë.