Bizneset në krizë, shqiptarët zëvendësohen me punëtorë nga Nepali

457
0

Në kompaninë e Donika Micit, që prej 30 vitesh është fokusuar në prodhimin e këpucëve, së shpejti do të mbërrijnë 75 punëtorë nga Nepali.

“Nepali sepse menduam se ishte vend i pafrekuentuar akoma mirë. Kemi preferuar të arrijmë deri te mosha 45-vjeç. Jam munduar ti marr çifte, të jenë burrë dhe grua të rinj, sepse mendoj se mund të krijojnë një jetë në Shqipëri.”

Do të paguhen njëjtë me punëtorët shqiptarë dhe po u krijohen kushte të mira në mënyrë që të mos braktisin Shqipërinë për vendet e tjera të Evropës.

“Ka një risk të madh për largim, por nuk duhet të na trembë kjo. U kemi krijuar të gjitha kushtet më të mira të mundshme.”

Sipërmarrësja, Donika Mici, thotë se i nevojiten të paktën 1 mijë punëtorë.

Teksa më parë synonin njerëz të kualifikuar, tani pranojnë edhe pa eksperiencë apo në moshë të madhe.

“Kemi nevojë për fuqi punëtore, e cila po emigron në mënyrë të natyrshme. Edhe për 60-vjeçe ne ofrojmë vend pune. Dy vjet para nuk na shkonte në mend të merrim një person mbi 50-vjeç në punë. Sot na duhen duar, njerëz që kanë dy këmbë dhe dy duar që vijnë për të punuar. Punonjësi për ne është bërë gjëja më e artë që mund të ekzistojë”.

Nëse eksperienca me punëtorët nga Nepali do të rezultojë pozitive, Mici thotë se edhe njerëzit e tjerë që i duhen do ti marrë po andej. Por kërkon lehtësira nga qeveria.

“Burokracia, kontratat individuale, shkresa pa fund nga Ministria e Jashtme, duhet marrë aprovimi. Ka jashtëzakonisht shumë burokraci. Ajo që vura re kohët e fundit është kontrata individuale. Të bësh 72 kontrata individuale me njerëz që janë shumë larg nga Shqipëria ishte shumë  e vështirë. Duhet parë liberalizimi i vizave me gjithë këto vende që ne të kemi fuqi punëtore.”

Kohët e fundit thuajse të gjitha bizneset, nisur nga lokalet e dyqanet e vogla, restorantet e deri tek kompanitë e mëdha, ndodhen në krizë për gjetjen e punëtorëve.