“Fluturon” Bitcoin, arrin nivelin më te lartë në 2 vjet

105
0

Kriptomonedha Bitcoin po këmbëhet mbi 56 mijë dollarë këtë fillimjavë. Kjo është vlera më e lartë në 2 vite për këtë monedhë dixhitale, e cila zë më shumë se gjysmën e tregut të kriptove.

Vlera e kriptomonedhës më të madhe në botë, Bitcoin ka arritur në nivelin më të lartë të dy viteve të fundit. Në bursa, ia këmbëhet mbi 56,000 dollarë, dukë ngritur në këtë mënyrë edhe vlerën e kriptomonedhave të tjera në tregun e parasë dixhitale.

Çmimi i bitcoin u rrit mbi 10% brenda dy ditësh, pasi firma e investimeve në kripto MicroStrategy, zbuloi një blerje prej rreth 3,000 bitcoin për 155 milionë dollarë të hënën.

MicroStrategy, me qendër në Virxhinia, është aktualisht pronari më i madh i bitcoin-s i tregtuar publikisht. Kompania posedon rreth 190,000 njësi të kriptomonedhave, të cilat sot vlejnë mbi 10.5 miliardë dollarë.

Edhe Ethereum, kriptomonedha e dytë më e madhe për nga kapitali i tregut, është rritur rreth 10% brenda një jave dhe tashmë këmbëhet mbi 3,250 dollarë.

Performanca e fortë e kriptomonedhave vjen në një moment kur tregtimi i dollarit e ka nisur javën me rënie, dhe në historikun e cmimeve të bitcoinit dhe dollarit vihet re se ka pasur gjithmonë një korrelacion të anasjelltë.

Sipas CoinMarketCap, tregu i kriptomonedhave ka arritur vlerën e 2.12 trilionë dollarëve, aty ky Bitcoin zë 51.6% të vëllimit të përgjithshëm.