Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë pasur një takim ditën e martë në Tiranë.
Takimi është mbajtur i fshehtë, por A2 CNN konfirmoi se Meta dhe Basha qëndruan për më shumë se një orë në një bisedë konfidenciale.
Burime pranë të dy politikanëve konfirmuan se dihet pak për diskutimin mes tyre, por është e qartë se takimi ka pasur si qëllim koordinimin mes te dyve, ndërkohë që kriza politike vazhdon.
Qëndrimi i Presidentit Ilir Meta, se ishte gati të dorëzonte edhe ai mandatin dhe madje të sakrifikohej si ish-presidenti kilian, Salvador Allende, ishte një mbështetje e padiskutueshme për opozitën dhe shtoi presionin ndaj kryeministrit Rama.
Nuk është e qartë nëse kreu i shtetit me këtë takim, ka avancuar më tej në qëndrimin e tij për dorëzimin e mandatit, që e thellon krizën apo ka nisur përpjekjet për ndërmjetësim mes palëve.
Më herët, Meta disa herë ka bërë thirrje për dialog, megjithëse deklarata e tij e fundit për dorëzimin e mandatit ishte një goditje.
Mbeten për t’u parë hapat e mëtejshëm të presidentit për të kuptuar më shumë mbi qëllimin e takimit me Bashën.