Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me bizneset e vogla në Tregun Industrial të Tiranës, ku prezantoi planet e tij për këtë sektor nëse Aleanca për Shqipërinë Madhështore fiton zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë bisedës me qytetarët, pati edhe momente të çlirëta. Një qytetari i ra telefoni dhe tha me humor: “Jam me Salën”, ndërsa Berisha iu përgjigj me një batutë: “Përshëndete!”
Në fjalën e tij, Berisha theksoi rëndësinë e biznesit të vogël për ekonominë dhe punësimin në vend:
“Do bëjmë gjithçka për frymëmarrje më të madhe për biznesin e vogël, sepse është themeli i punësimit. Duam t’i shpëtojmë nga taksat e rënda që t’u mbeten më shumë para, të zgjerojnë aktivitetin dhe të punësojnë më shumë njerëz. Do ulim çmimin e energjisë me tre herë. Çmimin e ujit me dy herë. Do rrisim tavanin pa taksa nga 140 mijë në 180 mijë euro. Pra, kemi një kuadër emergjence”.