Bënin namin duke vjedhur portofolët e qytetarëve në sportele, arrestohen hajdutët, ja pamjet..

179
0

Gjatë këtij viti në sportelin e Spitalit Rajonal Durrës, janë vjedhur portofolat dhe celularët e 8 shtetasve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pasurisë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë denoncuar vjedhjen e portofolave dhe sendeve të tyre personale, në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sporteli”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë dy autorë të cilët kanë qenë të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale

Nga veprimet hetimore për këtë rast, ka rezultuar se shtetasit N. L., 65 vjeç, banues në Kuçovë dhe N. I., 64 vjeç, banues në Elbasan, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 8 vjedhjeve të portofolave me shuma parash, dhe të celularëve të shtetasve të ndryshëm të cilët prisnin për të marrë shërbimet, në sportelin e Spitalit Rajonal Durrës, vjedhje këto të ndodhura gjatë këtij viti.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.