Bashkimi familjar në Greqi, emigrantët që përfitojnë

816
0

Voltiza Duro – Prej muajit gusht të këtij viti, emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi nuk do të mund të marrin më lejen e qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme me së paku tri vite qëndrimi në këtë shtet. Dispozitat e reja në ligjin e emigracionit, të miratuara nga komisioni parlamentar grek, parashikojnë që kjo leje tashmë të merret vetëm pas 7 vitesh jetese pa ndërprerje në tokën greke.

Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit dhe drejtues i organizatës së emigrantëve “Arogji – Përkrahja” tregon se ligji i ri sjell shumë ndryshime për emigrantët, si negative edhe pozitive. Më tej ai thekson se u shfuqizua dispozita që u jepte mundësinë atyre që kishin pasur në të kaluarën qoftë dhe një leje të vetme qëndrimi, të aplikonin për leje për arsye të jashtëzakonshme, mjafton që të mos kishin munguar nga Greqia për një periudhë më shumë se dyvjeçare. Por Malaj bën me dije se ndër ndryshimet pozitive në ligj, përfshihet njëjtësimi i institucionit të martesës me bashkëjetesën e vërtetuar; si dhe mundësia e bashkimit familjar.
Pak kohë më parë organizata për mbrojtjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi paraqiti disa propozime për ndryshime në ligjin e emigracionit. A u pranuan kërkesat tuaja nga komisioni parlamentar?
Organizata “Arogji- Përkrahja” paraqiti gjatë një seance në komisionin përkatës parlamentar vërejtjet dhe sugjerimet e veta, disa prej të cilave janë pranuar nga ligjvënësit. Ne u pozicionuam në ndryshimet e bëra në ligjin për emigracionin, që u votuan së fundmi nga parlamenti grek. Unë si drejtues i Arogji-t, gjykoj se ligji i ri sjell shumë ndryshime për emigrantët, ndryshime sa pozitive, aq edhe negative.
Cilat janë disa nga pikat negative që u ndryshuan në këtë ligj e që do të prekin emigrantët shqiptarë në shtetin helen?
Si një pikë shumë negative konsiderohet shfuqizimi i këtyre dispozitave: Parashikimet e nenit 19 të ligjit 4251/2014, që u lejonte gjithë atyre që kishin hyrë në Greqi para të paktën tre vjetësh, të aplikonin për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme; pra tashmë nuk do të lejohen më. Gjithashtu, u shfuqizua dispozita që u jepte mundësinë atyre që kishin pasur në të kaluarën qoftë dhe një leje të vetme qëndrimi, të aplikonin për leje për arsye të jashtëzakonshme, mjafton që të mos kishin munguar nga Greqia për një periudhë më shumë se dyvjeçare.
Me ndryshimet e bëra, cilat janë kriteret që duhen plotësuar për marrjen e lejes së jashtëzakonshme?
Leja e qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme që do të jepet tashmë e tutje, do të jetë për ata që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje me Greqinë dhe jetojnë këtu të paktën për shtatë vjet pa ndërprerje. Të interesuarit mund ta vërtetojnë qëndrimin e tyre ose me dokumente private, ose shtetërore; mjaft që këto dokumente të kenë data të sakta. Organizata e emigrantëve “Arogji” me propozimet që i paraqiti parlamentit, influencoi që të sanksionohen përfundimisht në ligj edhe dokumentet private, pasi projektligji parashikonte vetëm dokumentet e dhëna nga institucionet shtetërore.
Për sa kohë do të jetë e vlefshme leja e jashtëzakonshme dhe sa duhet të paguajnë emigrantët shqiptarë për ta marrë?
Ligji ka edhe disa elementë pozitivë. Është pranuar shtimi i vlefshmërisë së lejes së qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme, e cila do të ketë kohëzgjatje tre vjet dhe paravolo do të kushtojë 300 euro, ndërsa deri tani kjo leje qëndrimi kishte vlefshmëri dy vjeçare dhe kushtonte po 300 euro.
Cilat janë disa nga ndryshimet pozitive të bëra në ligjin e emigracionit?
Te ndryshimet pozitive përfshihet edhe njëjtësimi i institucionit të martesës me bashkëjetesën e vërtetuar; si dhe përfshirja në mundësinë e bashkimit familjar.
Si mund të bëhet bashkimi familjar në Greqi, kush mund ta përfitojë?
Bashkimi familjar mund të realizohet si pjesëtar i familjes së shtetasit grek/ shtetasit europian përveç bashkëjetuesit edhe i fëmijëve dhe prindërve të një kategorie tjetër, që referohet në ligj si “çdo pjesëtar tjetër i familjes së qytetarit grek apo i bashkëshortit/bashkëjetuesit tjetër, pavarësisht nënshtetësisë, përderisa ky person ka përkujdesjen e qytetarit grek apo të bashkëshortit/bashkëjetuesit. Në mundësinë e bashkimit familjar të qytetarëve të vendeve të treta përveç bashkëshortit/es dhe fëmijëve të mitur apo fëmijëve deri 21 vjeç, edhe të afërmit e bashkëshortit/es, domethënë prindërit e tyre shtetas të vendeve të treta për të cilët do të mund tashmë të aplikohet për bashkim familjar, në varësi të kritereve që do të vendosë ligji. Sa u përket aplikimeve që faktikisht janë bërë, ligji përcakton se ato do të shqyrtohen me kriteret e ligjit të mëparshëm. Edhe ky ishte një propozim i organizatës “Arogji”, që, gjithashtu, u paraqit gjatë seancës në komisionin parlamentar.
Kur do të hyjnë në fuqi dispozitat e reja?
Siç përcaktohet në ligj, dispozitat e reja do të hyjnë në fuqi tre muaj pas publikimit të ligjit në Fletoren Zyrtare, domethënë pas 15 gushtit 2018. Organizata Arogji pret edhe daljen e qarkoreve shpjeguese me të cilat do të specifikohen më mirë gjithë dispozitat e ligjit të ri.

Ndryshimet në ligj

Dispozitat që shfuqizohen:
Parashikimet e nenit 19 të ligjit 4251/2014, që u lejonte gjithë atyre që kishin hyrë në Greqi para të paktën tre vjetësh, të aplikonin për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme;
Gjithashtu, shfuqizohet dispozita që u jepte mundësinë atyre që kishin pasur në të kaluarën qoftë dhe një leje të vetme qëndrimi, të aplikonin për leje për arsye të jashtëzakonshme, mjafton që të mos kishin munguar nga Greqia për një periudhë më shumë se dyvjeçare;
Leja e qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme që do të jepet tani e tutje, do të jetë për ata që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje me Greqinë dhe jetojnë këtu të paktën për shtatë vjet pa ndërprerje. Të interesuarit mund ta vërtetojnë qëndrimin e tyre ose me dokumente private, ose shtetërore; mjaft që këto dokumente të kenë data të sakta
Ndryshimet pozitive:
Shtimi i vlefshmërisë së lejes së qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme, e cila do të ketë kohëzgjatje tre vjet dhe paravolo do të kushtojë 300 euro.
Njëjtësimi i institucionit të martesës me bashkëjetesën e vërtetuar;
Përfshirja në mundësinë e bashkimit familjar

/gazetashqiptare/