Baronesha Anna Malfatti, e lindur në vitin 1936, ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 87-vjeçare. Ajo vendosi që gjithë pasurinë e saj t’ia linte pastrueses shqiptare: përveç rreth një milion eurosh në para të gatshme, trashëgimia përfshin edhe gjashtë apartamente, për një vlerë totale prej afro pesë milionë eurosh.
Megjithatë, tetë nipërit e baroneshës — të përfaqësuar nga avokati Claudio Malfer — kanë vënë në dyshim testamentin dhe kanë nisur një proces gjyqësor. Ata kanë hapur një çështje civile duke kërkuar anulimin e testamentit dhe, paralelisht, kanë bërë edhe kallëzim penal kundër kujdestares 44-vjeçare — e mbrojtur nga avokati Nicola Canestrini — duke e akuzuar se e ka mashtruar dhe manipuluar baroneshën.
Akuzat
Sipas Prokurorisë së Roveretos, gruaja 44-vjeçare ka përfituar nga gjendja e rënduar mendore e baroneshës, në një fazë që sipas tyre e pengonte atë të kuptonte dhe të vendoste me vetëdije. Në aktakuzë thuhet se në mars të vitit 2022, ajo e ka bindur baroneshën të hartojë një testament ku e shpallte vetë kujdestaren trashëgimtare të vetme, dhe një muaj më vonë, ka marrë edhe një prokurë të përgjithshme noteriale, që i jepte kontroll mbi pasurinë.
Në pritje të vendimit gjyqësor, prokuroria ka kërkuar dhe ka marrë miratimin e gjykatës për sekuestrimin parandalues të gjithë pasurisë. Kujdestarja, ndërkohë, nuk e ka pranuar ende trashëgiminë, pasi thotë se nuk dëshiron ta marrë atë pa u sqaruar nëse ka të drejtë ligjërisht.