Koronavirusi është kthyer në kryefjalën e çdo dite. Organizata Botërore e Shëndetësisë në vazhdimësi jep këshilla të vazhdueshme se si mund të mbrohemi prej tij duke respektuar kushtet e higjienës dhe duke shmangur kontaktin e shpeshtë njerëzor. Një përcjellës shumë i mirë i virusit janë edhe kartëmonedhat. Nga një studim i publikuar edhe në Daily Mail cilësohet se ky virus mund të mbijetojë në sipërfaqe të forta nga 2 orë deri në 9 ditë.
Edhe në Shqipëri, bankat po i këshillojnë klientët të mos përdorin paranë cash. Në një njoftim dërguar klientëve të saj, Banka Kombëtare Tregtare i sugjeron që të shmangin prekjen e parave dhe nënshkrimin e faturës. Banka i këshillon gjithashtu klientët që të shmangin kontaktin në ambientet në degët e bankave dhe përdorin kanalet dixhitale online si dhe kartat pa kontakt.
Krahas njoftimeve, bankat kanë marrë dhe masa për të minimizuar rrezikun e marrjes së virusit në sportelet e bankës dhe për të siguruar punonjësit e tyre. Në sportelet e Intesa Sanpaolo klientët e mbajnë radhën jashtë dhe përpara se të futen janë të detyruar nga personeli i ruajtjes fizike që të dezinfektojnë duart. Klientët duhet të mbajnë dhe një distancë rreth gjysmë metri nga sporteli.
Edhe Union Bank në një njoftim për klientët thotë se për shkak të situatës aktuale, ka ndërmarrë disa masa që synojnë parandalimin e përhapjes së virusit nëpërmjet disa rregullave, si hyrja e kontrolluar e klientëve në degët e Bankës, mbajtja e distancës të klientëve që presin jashtë. Banka thotë se është e këshillueshme që në bankë të mos hyjnë persona që kanë udhëtuar së fundmi në vende të konsideruara me rrezikshmëri të lartë nga OBSH, si: Kina, Italia, Koreja e Jugut dhe Irani.
Të gjitha bankat i këshillojnë klientët që të kryejnë pagesat online, për të shmangur kontaktet fizike.
Risku i marrjes së viruseve nga kartëmonedhat
Risku i marrjes së korona virus nga kartëmonedhat është i konsiderueshëm. Kartëmonedhat si një mjet këmbimi qarkullojnë me shpejtësi të lartë në duar të njerëzve të ndryshëm që i përdorin ato për transaksione dhe blerje të përditshme. Kontakti njerëzor në ambiente publike, institucione, banka etj na ekspozon më tepër ndaj korona virusit.
Për të shmangur ose minimizuar këto risqe OBSH udhëzon përdorimin e metodave më të zgjuara për nevojat tona të përditshme si Bankingu Digjital dhe Pagesat Contactless (Pa Kontakt) për të shmangur kartëmonedhat e kontaminuara. Ekspertët e shëndetit këshillojnë konsumatorët që të përdorin kartat e debitit ose të kreditit për të kryer blerjet në supermarkete, karburante, farmaci etj në mënyrë që të shmanget marrja e korona virusit nga kartëmonedhat.
Për të shmangur ose minimizuar këto risqe OBSH udhëzon përdorimin e metodave më të zgjuara për nevojat tona të përditshme si Bankingu Digjital dhe Pagesat Contactless (Pa Kontakt) për të shmangur kartëmonedhat e kontaminuara. Ekspertët e shëndetit këshillojnë konsumatorët që të përdorin kartat e debitit ose të kreditit për të kryer blerjet në supermarkete, karburante, farmaci etj në mënyrë që të shmanget marrja e korona virusit nga kartëmonedhat, shkruan ‘monitor’.
Këto produkte dhe shërbime Bankare janë disa masa të tjera shtesë për t’u mbrojtur nga korona virus të cilat janë duke u ndjekur tashmë jo vetëm në Kinë, të cilët po bllokojnë përdorimin e kartëmonedhave për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, por edhe në vende të tjera më të zhvilluara në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Shqipëria ka përdorimin më të ulët të kartave dhe shërbimeve online
Ndërsa këshillohet pasja e sa më pak kontakteve me paranë, Shqipëria ka një prej ekonomive më të mëdha cash në Evropë (22% e totalit të parasë është jashtë bankave), ndërsa ka dhe përdorimin më të ulët të kartave bankave dhe shërbimeve online.
Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria kishte 44 karta krediti për 1,000 banorë në vitin 2018. Ndonëse ka ardhur në rritje në raport me vitet e mëparshme (treguesi ishte 28 në 2013-n), sërish kemi përdorimin më të ulët të tyre në Europë.
Nivel të ulët kanë dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Mali i Zi (64), Kosova me 131 karta për 1000 banorë, që gjithsesi është tre herë më i lartë sesa i joni, Bosnja (140).
Më mirë në rajon janë Maqedonia (214) dhe Serbia (202).
Në shtetet e Europës Perëndimore, karta e kreditit është një mjet i zakonshëm pagese, ku çdo i rritur e zotëron një të tillë. Rekordin në Europë e mban Norvegjia, me 1,592 karta për 1,000 banorë, pra mesatarisht çdo banor ka më shumë se një kartë, e ndjekur nga Spanja (1,287), Suedia (1,062).
Të dhëna të tjera, po të FMN-së treguan se Shqipëria ka numrin më të ulët në Europë të ATM-ve (Automated Teller Machine), apo makinerive që ju lejojnë të tërhiqni paratë nëpërmjet një karte. Të matura për 100 mijë banorë, vendi ka 30 ATM, që është gati 6 herë më e ulët se në Austri, shteti që mban rekord në Europë.
Nga vendet e tjera të rajonit, numër të ulët ka Kosova, me 35 ATM për 100 mijë banorë, Serbia (49), Bosnja (55), Maqedonia (60) Mali i Zi (87).
Të dhëna të tjera të FMN-së treguan se Shqipëria është përkeqësuar në shtatë nga dhjetë treguesit që merr parasysh vrojtimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Aksesin Financiar për vitin 2018. Të dhënat treguan se numri i automateve është 30.43 për 100 mijë të rritur, ndërsa treguesi i mëparshëm ishte 30.47. Treguesi i dytë me rënie është ai i degëve komerciale të bankave për 100 mijë të rritur. Nga 20.56 që ishte në vitin 2017, ky tregues, sipas FMN, në vitin 2018 është regjistruar 30.43. Numri i depozituesve në bankat komerciale për 1000 të rritur ishte 1.085 në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 ishte 1.033. Numri i huamarrësve nga bankat për 1000 të rritur rezulton 139.18 për vitin 2017, ndërsa ishte 137.51 vitin e shkuar.