“Babi vrau mamin”, fëmijët e mitur të çiftit shqiptar në Itali rrëfejnë krimin…

458
0

Një krim brenda një familje shqiptare ka tronditur mëngjesin e sotëm opinionin publik në Itali. Një 30-vjeçar shqiptar i identifikuar si Lulzim T. ka vrarë bashkëshorten e tij 24 vjeçe me emrin Eleonora, po nga Shqipëria, në sytë e dy fëmijëve të mitur 4 dhe 6 vjeç.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës rreth orës 05:00 në San Felice a Cancello, në zonën e Casertas në Itali.

Mediat italiane raportojnë se krimi ka ndodhur në dhomën e gjumit të shtëpisë, ku jetonte çifti dhe dy fëmijët, teksa 30-vjeçari e ka mbytur me duar gruan.

Nuk dihen ende arsyet që e shtynë 30-vjeçarin të vrasë gruan e tij, por duket se tragjedia ka ndodhur në kulmin e një debati.

30-vjeçari, pas krimit, ka shkuar në shtëpinë e kunatës së tij, duke i kërkuar që ta shoqëronte në spital, por ajo nuk e ka besuar dhe i ka telefonuar nipave të saj.

“Babi vrau mamin”, i kanë thënë fëmijët tezes, e cila ka kontaktuar menjëherë 112.

Kur policia ka mbërritur në vendngjarje, 30-vjeçari ka qenë ende duke u endur pranë shtëpisë në gjendje shoku, dhe më pas është ndaluar dhe dërguar në komisariat.

Fqinjët thanë se kishin dëgjuar të bërtiturat herët në mëngjes dhe menjëherë lajmëruan policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes brenda pak minutash.