Babai vret djalin në Maliq, policia publikon detaje: E goditi me çekiç pasi ai donte ta hidhte në pus

114
0

Një ngjarje e raportuar fillimisht si aksidentale në Maliq rezultoi të ishte e kundërta. Policia ka njoftuar se ka mundur të zbardhë ngjarjen ku humbi jetën 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi pasditen e së premtes. Uniformat blu thonë se dyshohet se ai është vrarë nga babai i tij, Shefki Bylykbashi.

Të premten, policia njoftoi se 50-vjeçari nga fshati Zvezdë u dërgua në spitalin e Korcës pa shenja jete. Familjarët e tij kanë deklaruar se ai, duke qenë në gjendje të dehur ishte rrëzuar aksidentalisht në banesë dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Por pas hetimeve të thelluara rezultoi se ai ishte vrarë. Autor i vrasjes dyshohet të jetë babai i tij, Shefkiu, 77 vjeç. Viktima ka qenë në gjendje të dehur dhe është konfliktuar në shtëpi me babain.

Pas sherrit, ka dashur ta hedhë të atin në pusin e ujit në oborr. Për pasojë 77-vjeçari e ka goditur disa herë në kokë me një çekiç që e përdorte për të thyer gurë. Për shkak të dëmtimeve, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit në spitalin e Korçës.

Policia thotë se ka arrestuar babain 77-vjeçar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Mësohet se viktima ishte i divorcuar dhe për pasojë konsumonte alkool çdo ditë. Ai jetonte jashtë shtetit, por kishte disa muaj që ishte kthyer nga Franca.