Babai i saj u vra kur ajo ishte 9 vjeç, bëhet police dhe arreston vrasësin pas 25 vjetësh: Kur e pashë..

3710
0

Një grua braziliane, e cila ia kushtoi jetën kapjes së vrasësit të babait të saj, arriti më të dërgojë para drejtësisë pas 25 vitesh autorin e vrasjes. Më 16 shkurt të vitit 1999, Givaldo Jose Vicente de Deus u qëllua dhe u vra pas një debati të ashpër në një bar në qytetin brazilian Boa Vista.

Ai ishte përfshirë në një debat me Raimundo Alves Gomes për një borxh prej 150 reals brazilianë (ekuivalenti i 29 dollarëve amerikanë në vitin 1999) që Givaldo i detyrohej Gomesit. Në një moment, ky i fundit doli nga bari për disa minuta, më pas u kthye me një armë dhe e qëlloi në kokë babanë e pesë fëmijëve. Gomes u largua nga vendngjarja dhe megjithëse u lëshua një urdhër arresti në emrin e tij, ai nuk u kap kurrë. Familja e pikëlluar e Givaldos nuk hoqi dorë kurrë nga shpresa për të sjellë vrasësin e tij para drejtësisë, dhe vajza e tij e madhe, e cila ishte vetëm nëntë vjeç në kohën e vdekjes së tij, ia kushtoi jetën kapjes së Gomesit.

“[Gomes] la pas një familje të shkatërruar, me pesë fëmijë dhe nënat tona duhej të luftonin fort për të na rritur. Ky ngjarje mund të na kishte çuar në rrugë të tjera, por nënat tona gjithmonë na mësuan të ndiqnim rrugën e duhur”, tha Gislayne Silva de Deus për median braziliane Nova1.

Si më e madhja nga pesë fëmijët, Gislayne duhej të ndihmonte nënën e saj për t’u kujdesur për vëllezërit dhe motrat më të vegjël, dhe gjithashtu të bënte punët e shtëpisë, por ajo kurrë nuk i neglizhonte studimet e saj. Babai i saj gjithmonë e inkurajonte të studionte fort dhe ishte gjithmonë i gatshëm ta ndihmonte me detyrat e shtëpisë, dhe ajo nuk donte ta zhgënjente. Ajo punoi fort dhe ëndërronte që një ditë t’i sillte paqe të gjithë familjes duke kapur vrasësin e babait të saj.

Në moshën 18-vjeçare, pas përfundimit të shkollës së mesme, Gislayne u pranua në fakultetin e drejtësisë dhe u licencua si avokate shtatë vjet më vonë. Megjithatë, në vitin 2022, ajo hoqi dorë nga karriera e saj në drejtësi për t’u bërë police dhe dy vjet më vonë, më 19 korrik 2024, kaloi provimin dhe u emërua zyrtarisht si hetuese e Policisë së Shtetit. Ajo menjëherë kërkoi një pozicion në Divizionin e Vrasjeve, gjë që i dha mundësinë të ndiqte Raimundo Alves Gomes.

Në vitin 2013, Gomes u dënua me 12 vjet burg për vrasjen e Givaldo Jose Vicente de Deus, por pasi nuk ishte arrestuar kurrë pas krimit, dënimi nuk u zbatua kurrë. Avokatët e tij apeluan vendimin në vitet 2014 dhe 2015, por të dyja apelimet u refuzuan nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë. Urdhri më i fundit i arrestit për Gomes u lëshua në vitin 2019, kështu që afati i parashkrimit skadon në vitin 2031, që do të thotë se sa më shpejt ta gjente Gislayne Gomesin, aq më shumë kohë ai do të kalonte pas hekurave.


Më 25 shtator, vetëm dy muaj pas fillimit të karrierës si police, Gislayne Silva de Deus realizoi ëndrrën e saj për të sjellë vrasësin e babait të saj para drejtësisë, pas një periudhe të gjatë prej 25 vitesh. Ajo dhe ekipi i saj e gjetën atë të fshehur në një fermë në rajonin Nova Cidade pranë Boa Vista dhe e arrestuan.

“Kur e pashë atë në stacionin e policisë, këmbëngula t’i tregoja kush isha dhe se unë isha përgjegjësja për ekzekutimin e urdhrit të arrestit”, tha Silva de Deus.

“Unë ndava lajmin me familjen time, dhe të gjithë ndjenë një ndjesi të madhe paqeje dhe drejtësie. Kemi pritur gjatë, dhe edhe pse ishim me mosbesim, arritëm në këtë moment. Qava nga lehtësimi sepse, pas kaq shumë kohe, ndjeva sikur një peshë e madhe ishte hequr nga shpatullat e mia”, pohoi ajo.