Babai i dy fëmijëve bie nga shkallët e shtëpisë, humb jetën një tjetër shqiptar në Itali

2322
0

F.Rroshi, një 41-vjeçar shqiptar që jetonte në Cologna Veneta, në Veneto të Italisë, humbi tragjikisht jetën si pasojë e një ngjarje aksidentale të ndodhur në shtëpi.

Rroshi kishte zbritur në katin e poshtëm të shtëpisë së tij për të pirë cigaren e fundit përpara se të shtrihej, siç bënte zakonisht. Më pas u dëgjua një zhurmë që zgjoi bashkëshorten e tij. Duke menduar se kishte rënë një prej orendive të shtëpisë, ajo zbriti poshtë.

Por në fakt gjeti të shoqin në fund të shkallëve pa ndjenja. U përpoq t’i jepte ndihmën e parë, por pavarësisht përpjekjeve të saj dhe shërbimeve të emergjencës, për Rroshin nuk qe e mundur të bëhej asgjë.

Në Itali që prej vitit 2000, ai lë pas bashkëshorten dhe dy djemtë të moshës 14 dhe 10 vjeç. Dhjetorin e shkuar ata kishin marrë nënshtetësinë italiane.