Kompania australiane Tarmac Linemarking ka postuar në Facebook një video të një rruge me sinjalistikë horizontale që mund të ndriçohet në errësirë. Gati 10,000 pëlqime dhe 3,400 komente. Projekti, në bashkëpunim me OmniGrip dhe Vic Roads, shërben për t’i bërë rrugët më të dukshme dhe për rrjedhojë më të sigurta.
“Ky trajtim do t’ua bëjë më të lehtë shoferëve të shohin vijat e ndarjes dhe sinjalistikën. Shkëlqimi do të jetë më i fortë në afërsi të kryqëzimeve dhe kthesave, duke u dhënë shoferëve më shumë kohë për të reaguar dhe duke i penguar ata të dalin nga korsia e tyre,” tha Regional Roads Victoria në një deklaratë, “mund të jetë një burim i paçmuar, veçanërisht për ata që nuk i njohin këto rrugë”.

Si funksionojnë autostradat e ndritshme?
Parimi është i njëjtë me yjet prej letre që ngjiten në murin e dhomës së gjumit. Ato që ndriçohen në errësirë. Sinjalistika në fakt shfrytëzon shkencën e fotolumineshencës: natën veshja lëshon të gjithë dritën që ka thithur gjatë ditës. “Ka pasur shumë interes nga prova rrugore, është një produkt i shkëlqyer,” tha John Emanuelli i Tarmac Linemarking.
Energjia e mbledhur gjatë ekspozimit ndaj dritës arrin të furnizojë për 8 orë rrugët natën. Një mënyrë edhe për të kursyer energji elektrike. Falë sinjalistikës rrugore të ndritshme, mund të zvogëlohet edhe ndriçimi i llambave të rrugës.
Një eksperiment tashmë i testuar
Nuk është një risi. Është realizuar tashmë përgjatë rrugëve të Holandës në vitin 2014, dhe madje edhe veshjet për çiklistët dhe motoçiklistët bazohen pikërisht në fotolumineshencë. Por duket se interesimi ndaj sinjalistikës horizontale po rritet. John Emanuelli, në fakt, shpjegoi se, pasi ngarkoi fotot e provës rrugore në Facebook, gjithnjë e më shumë kompani dhe komuna të interesuara për të realizuar projektin kanë kontaktuar me Tarmac Linemarking.