Bujar Nasufi, 56 vjeç u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e djeshme, 12 janar, sapo iu afrua banesës së tij në rrugën “Myrte Zeneli” te “Pallati me Shigjeta” në Tiranë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se konfliktet brenda rrethit familjar janë pista kryesore ku po hetohet.
Dyshimet janë se viktima Bujar Nasufi ka pasur konflikte për pronat me anëtarë të tjerë të fisit.
Hetuesit kanë arritur që të sekuestrojnë disa kamera sigurie ku duket autori i krimit, i cili është me kapuç.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj mëson se autori ishte maskuar si shpërndarës picash. Ai ka qenë duke e pritur viktimën në afërsi të banesës.
Nasufi u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij. Kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori afrohet dhe e qëllon duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, ndërsa 2 plumba kanë rezultuar fatalë për 56-vjeçarin.
Dinamika e ngjarjes
Kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që kanë qenë duke u afruar në banesë.
Të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh.
Fillimisht në rrugicë është futur mjeti i të vëllait, ndërsa pas ka qenë mjeti i viktimës.
Sapo ky i fundit ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar dhe më pas është larguar me motor drejt zonës së Selitës.