Nënë e bir janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi akuzohen për vjedhjen e miliona lekëve dhe mijëra eurove në një shtëpi ku gruaja punonte si punonjëse mirëmbajtjeje.
Policia tha se ka sekuestruar mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i provave të siguruara falë një pune të mirëfilltë hetimore, trejavore, të realizuar me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Inside”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve: Rozeta Dobi, 49 vjeçe dhe Havier Dobi, 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë”, tha policia.
Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.