Klan News ka zbuluar të tjera detaje nga arrestimi i Alda Klosit. Siç mëson gazetarja Glidona Daci, ajo është shoqëruar në polici rreth orës 18:00 të së premtes dhe është vënë në pranga në orën 22:30. Klosi akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë.
Ka qenë dëshmia e re e Rozeta Dobit, pastrueses së shtëpisë së Klosit, e cila aktualisht ndodhet në qeli pas akuzave se bashkë me djalin, Havier Dobin, se grabitën para dhe sende të tjera me vlerë, që ka bërë prokurorinë të firmosë urdhrin për arrestimin e saj.
Siç mëson gazetarja Daci, Rozeta Dobi është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë dhe është shprehur se ngjarjen e vjedhjes e ka inskenuar pasi Alda Klosi donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin. Sipas Dobit, në Dhjetor 2022, Klosi i ka kërkuar që t’i ruante paratë sepse kishte konflikte me bashkëshortin. Sipas pastrueses paratë vinin që nga viti 2021 në çantë, por nuk e dinte se kush i sillte.
“Lekët vitin që nga 2021. Nuk kam dijeni kush i sillte, por vinin në çantë. Në Dhjetor 2022, Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Atë ditë që i mora nuk ishte në shtëpi. Më tha merri në kasafortë. Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin. Atë ditë s’kam marrë lekë”, mësohet të ketë thënë Dobi.
Alda Klosi ka mohuar që të jetë bashkëpunëtrore. Policia ka dyshime për të dyja dëshmitë, edhe të Rozeta Dobit, pasi mund të jetë për të shpëtuar të birin, por edhe për dëshmia e Alda Klosit që nuk ka pasur bashkëpunim dhe nuk ka pasur faj merret me rezerva.
Kujtojmë se sanitarja Rozeta Dobi në bashkëpunim me djalin Havier Dobi u arrestuan pas dyshimeve se në shtëpinë e Klosit grabitën 120 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë. Nga kontrolli në shtëpinë e Rozeta Dobit, policia gjeti po ashtu edhe një shumë prej mbi 400 mijë eurosh të tjera, të cilat Dobi tha se i përkisnin Klosit. Megjithatë kjo e fundit e ka mohuar.
Klosi po ashtu ka deklaruar se 120 mijë eurot e grabitura në shtëpinë e saj ishin të xhaxhait që jetonte në Amerikë.
Sipas burimeve të Klan News, Prokuroria ka kryer hetime intensive për të zbuluar origjinën e parave. Ka informacione se pastruesja Dobi është marrë në pyetje ditët e fundit nga ana e prokurorëve dhe ka pranuar se ka parë para në disa prej shtëpive ku ka kryer aktivitetin e saj si pastruese.