Ministria e Brendshme diten e sotme ka njoftuar se qytetarët shqiptarë qe ndodhen jashtë vendit mund të aplikojnë për dokumente biometrike edhe në 6 zyra të reja.
Zyrat e reja të aplikimit do të hapen pranë Konsullatës në Bari, Itali, si dhe Ambasadave Shqiptare në Vjenë, Austri; në Paris, Francë; në Berlin, Gjermani; në Stokholm, Suedi dhe në Stamboll, Turqi.
Ministria e Brendshme ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të nxitojnë për të aplikuar, pasi në 31 dhjetor 2020 mbaron vlefshmëria e shumë ID kartave apo pasaportave biometrike.
Në javët e fundit të vitit pritet fluks në zyrat e aplikimit, çka do të rritë radhët në këto zyra. Nga fillimi i vitit 2021 do të ketë kufizime të shërbimeve për shtetasit që nuk kanë një ID kartë të vlefshme.
Në kuadër të lehtësimit të shërbimeve të bëra nga Ministria e Brendshme, qytetarët mund të riaplikojnë për kartën e identitetit në çdo zyrë aplikimi në territorin e RSH.
Ndërkohë që investime të rëndësishme janë bërë në drejtim të pajisjes, përmirësimit të kushteve dhe krijimit të mundësive për aplikim në kushte optimale.
Një tjetër lehtësim është se qytetarët që duhet të ri-aplikojnë për pasaportë, u mjafton vetëm të paraqiten pranë zyrës, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online, me kuponin e blerë në Postë, pa dashur të plotësojnë sërish formularin e Policisë.
Me ndryshimet e fundit ligjore, qytetarët që aplikojnë për karta identiteti dhe janë mbi moshën 75 vjeç, do ta marrin dokumentin pa afat skadence.