Apeli i 3 fëmijëve: Shokët na përbuzin, mësuesja na rreh se jemi të varfër

1189
0

Ismail Shima është vetëm 39 vjeç, por jeta e ka mundur. Jeton në Kashar me bashkëshorten Flutura, e cila është e sëmura dhe 3 djemtë. Gëzimi 13 vjeç, Arbeni 11 vjeç dhe Ergysi 8 vjeç. E vetmja e ardhur e tyre janë kanaçet. Ku shpesh herë Policia Bashkiake ia merr karrocën për t’i çuar në landfillin e Sharrës. Por, kjo do të thotë një ditë më shumë pa ngrënë bukë.

“Unë jetoj në mizëri. Marr një ndihmë ekonomike prej 40 mijë lekë të vjetra. Por, edhe ajo më shkon për drita e ujë. Unë me të vërtetë që nuk kam shkollë e nuk di të shkruaj, por një punë për mua nuk e paska ky shtet?!

Unë jetoj me kanaçe dhe atë karrocë e kam punë. Të cilën policët Bashkiakë shpesh herë marrin. Madje fusin edhe ndonjë shqelm, ose ka pasur raste që më kanë tërhequr zvarrë. Vetëm sepse nuk doja t’ia jepja karrocën.

E si t’ia jap unë atë karrocë, po fëmijët e mi çfarë do hanë?! Të cilët kanë ndenjur me net të tëra pa ngrënë.”

Nuk ka prind në botë që ta marrë fëmijën e vetë dhe ta fusë me kokë nëpër kazanë të plehrave. Nuk kam ndonjë mbështetje tjetër unë, se nëse do të kisha edhe unë do ta lija fëmijën në shtëpi. Ai nuk ka kohë të mësojë, sepse sapo mbaron shkollën, vjen me mua e kthehemi në darkë vonë.”

Edhe pse shtëpia është në pronësi të Ismailit, të cilën ia ka lënë babi, ajo është në gjendje të shkatërruar. Pasi çfarë bie jashtë, hyn brenda. Dhe 39-vjeçari nuk ka mundësi për ta rregulluar.

“Dhoma mbushet plot me ujë dhe në dimër bën shumë ftohtë. Sidomos në darkë, pasi ne të tre mbulohemi me një batanije. Unë dua të na rregullohet shtëpia dhe të kemi krevate të reja, sepse të ato që flemë na dhembin kockat”, rrëfen me lot në sy Ergysi.

Gëzimi, djali i madh i familjes, prej moshës 6 vjeçare dilte në kazanë, për të marrë atë çka të tjerët hidhnin. Sepse nëse për dikë është mbeturinë, për këta fëmijë është luks.

“Nuk kam çfarë të bëj, më duhet të dal me babin. Mbi tre herë më kanë rënë të fikët në shkollë, pa ngrënë e pa pirë, si edhe mësuesja më gjuante pasi nuk bëja detyrat. Jo se nuk dua, por nuk kam kohë. Po ashtu edhe shokët më shajnë e më thonë ‘zhulanjos’. Mua më vjen shumë keq, edhe për babin sepse ai lodhet e mundohet çdo ditë të na gjejnë neve diçka për të ngrënë.”

Fëmijëria e tyre nuk është aspak si e të tjerëve, ata nuk i shijuan pushimet si shumë fëmijë të tjerë. Ata as nuk e njohin detin.

“Nuk kemi shkuar asnjëherë në plazh, nuk e dimë si është deti. Do të donim shumë ta njihnim, por nuk kemi mundësi’, thonë me zërin e mekur.

Mes dëshirës për t’u arsimuar dhe skamjes në të cilën jetojnë, për djemtë shkolla është kthyer në një ferr. Sepse të gjithë i përbuzin.

“Në shkollë nuk kemi asnjë shok, sepse nuk na duan dhe nuk na afrojnë fare. Më kanë shtyrë disa herë dhe unë i kam thënë mos më ngacmoni se jam gjynah. Kurse mësuesja prapë ma ka shkulur mua veshin, e më rreh mua. Mësuesja na lë të ulur në bankë vetëm, sepse jemi të varfër dhe nuk jemi si ata. Unë kam qejf të ulem me shokë, kurse ata nuk pranojnë. Prandaj edhe unë nuk duam të shkojmë në shkollë. Kemi turp. Ne nuk kemi lekë as për të blerë librat apo mjetet që na duhen.”

Ata nuk kanë dëshira të mëdha, as ëndrra për të ardhmen, këta fëmijë kërkojnë veç të hanë dhe t’i duan. Kaq mjafton që edhe ata të jenë të lumtur.

“Veç të hamë bukë”, me këtë fjalë largohemi nga familja Shima. Duke lënë pas sytë e tre djemve të cilët po humbasin çdo shpresë se nesër do të kenë një jetë më të mirë. TIRANA TODAY