Skip to content

Anomalia e Motit, sinoptikania zbulon çfarë pritet këtë javë..

    Muaji i parë i verës, Qershori që në ditët e para ka startuar me temperatura të larta, vendi është përfshirë nga vala e të nxehtit afrikan.
    Sot priten temperatura të larta që arrijnë deri në 38°C, veçanërisht në qarkun e Beratit dhe në disa zona të izoluara të Elbasanit dhe Gjirokastrës.

    Parashikohet që moti të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të përqendruara në pjesën e dytë të ditës, sidomos në zonën juglindore. Nuk do të mungojnë as momentet me shira të shkurtër dhe lokalë.

    Duke nisur nga e marta, temperaturat pritet të bien gradualisht, duke sjellë një normalizim të kushteve atmosferike.

    • martën, temperaturat do të ulen në 36°C në nivel kombëtar.
    • Nga e mërkura e në vijim, përfshirë edhe fundjavën, temperatura maksimale në vend pritet të jetë rreth 35°C, kryesisht në jug dhe në qendër — me Elbasanin dhe Beratin si zonat më të nxehta.
    • Qytetet e ultësirës perëndimore do të regjistrojnë temperatura mes 31 dhe 33°C.

    Moti do të jetë i qëndrueshëm në pjesën më të madhe të territorit, megjithatë, mesjava (e marta dhe e mërkura) do të sjellë rrebeshe të izoluara shiuverilindje dhe juglindje, veçanërisht në qarkun e Korçës, kryesisht gjatë orëve të pasdites. Këto rrebeshe do të jenë të shkurtra dhe do të zgjasin vetëm disa minuta.

    Fundjava pritet të jetë me diell, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, me temperatura që do të variojnë nga 33 deri në 34°C, çka i bën këto ditë mjaft të përshtatshme për pushuesit. Temperaturat nuk do të jenë ekstreme, çka i bën më të përballueshme edhe për ata që zgjedhin të pushojnë gjatë kësaj periudhe.

    Ndërkohë, media të huaja kanë parashikuar një qershor “flakë”, me temperatura të larta në shumë zona të Europës dhe Mesdheut.
    Në fakt, muaji qershor në Shqipëri historikisht ka pasur vlera maksimale 30–31°C, por tashmë kemi regjistruar 38–39°C që në ditët e para të tij, temperatura që zakonisht i presim në korrik apo gusht.

    Kjo javë sjell një stabilizim të përkohshëm, me temperatura që sërish janë rreth 5 gradë mbi mesataren shumëvjeçare, ndërsa pjesa e dytë e muajit pritet të rikthejë sërish vala të të nxehtit, me temperatura që mund të jenë edhe 6 gradë mbi normën sezonale.

    Muaji qershor pritet të mbyllet me anomali të theksuar të temperaturave, që do të jenë dukshëm mbi mesataren e viteve të kaluara.