Andrea Ndoj braktis Shqipërinë për Greqinë, reagon babai: E vendosa unë, edhe ushtar do të jetë këtu!

170
0

Andreas Ndoj mund të kishte ecur në gjurmët e Thomas Strakoshës dhe Ergys Kaçes duke lënë gjurmë në Kombëtaren shqiptare, por vendosi të ndjekë udhën e Sotir Ninit, Gjergji (Panajot) Kones dhe Fiorin Durmishajt duke zgjedhur të luajë për Greqinë.

Është e drejta e tij ta bëjë, sado që kjo mund të lëndojë shumë shqiptarë. Por mënyra se si Andreas Ndoj, mesfushori me tipare mbrojtëse, 19- vjeçar, i Olimpiakosit, vendosi të ikte sërish te Greqia, ka hapur plagë të vjetra dhe një debat të ri. Po, sepse ai fillimisht ka luajtur me Kombëtaren U-16 të Shqipërisë (4 mars 2019). Më pas ka luajtur 6 ndeshje me Kombëtaren U-17 dhe tri ndeshje me kombëtaren U20 të Greqisë.

U pendua. Vendosi që të vinte sërish me Shqipërinë dhe më 23 shtator të këtij viti 19-vjeçari 190 cm i gjatë luajti me Shpresat e Shqipërisë. Po pastaj? Më 19 shtator firmosi se donte të ndryshonte kombëtare, pra të luante me kuqezinjtë dhe më 28 tetor FSHF-ja dërgoi shkresë në KAS (procedurë standarde) se do të luajë përfundimisht me Kombëtaren shqiptare, atë të prindërve të tij.

Mirëpo sërish Ndoj ndërroi mendje dhe dje ka njoftuar federatën se nuk do të luajë me Shqipërinë, por me Greqinë. Po, fiks kështu. Dhe tani situata është komplikuar. Babai i Andreas, Anesti Ndoj, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, se vendimi që i biri të luante përfundimisht me Greqinë ishte tiji.

Zoti Ndoj pse ky ndryshim i vendimit nga Andreas? Ishte vendimi i familjes apo i djalit tuaj?

Nuk është vendim vetëm i prindërve, ashtu na e mori mendja të gjithëve dhe kështu kemi vendosur.

Edhe djali ishte dakord me atë?

Kur është prindi duhet të jetë edhe djali dakord, sepse djali duhet të shkojë pas prindit. Unë e kam bërë djalin dhe jo ai mua.

Dakord, por çdo prind apo familje është e nderuar kur djali i thirret me ekipin kombëtar apo jo?

Po, e mirëpres, shumë gjë e mirë është. Puna është se djali ka lindur këtu, ka marrë pasaportë greke, është shkolluar këtu. Është tjetër djali dhe tjetër unë. Unë jam shqiptar, kam nderin që jam shqiptar, jam prej Malësisë dhe nuk e mohoj, si unë si familja, por me djalin nuk është njësoj.

Pse?

Përderisa djali ka bërë shkollën këtu, edhe ushtar do të jetë këtu. Pastaj, pse kur ka luajtur për moshat e Greqisë më kanë marrë dhe më kanë pyetur nga federata greke?!