Kreu i qeverisë, Edi Rama, ditën e sotme ka zhvilluar në Sarandë një takim me sipërmarrës të cilët kanë zgjedhur të kthehen nga emigrimi në atdhe dhe të investojnë në vendin e tyre.
Një nga sipërmarrësit e pranishëm në takim ishte Romeo Dauti, i cili ishte kthyer në Shqipëri pas 17 vitesh qëndrimi në Amerikë. Dauti tha se Amerika është vetëm një fabrikë pune dhe i ftoi shqiptarët të kthehen në atdhe, pasi këtu mund ta bëjnë jetën sipas qejfit.
Romeo Dauti: Unë jam Romeo Dauti, kam jetuar 17 vjet në Amerikë, pjesa më e bukur e jetës dhe jam kthyer para 10 viteve. Merrem me imobiliare dhe me ndërtim. Ka qenë shumë e vështirë kur flisja me njerëzit këtu.
“Je i çmendur që je kthyer nga Amerika”, por ju betohem që kam punuar 18-19 orë. Po të punosh në Shqipëri aq orë, mund të marrësh shumë herë më shumë. Amerika është një fabrikë pune, punë-shtëpi, nuk e kuptojnë njerëzit.
Këtu pinë kafe, bëjmë jetën si na do qejfi dhe iki 10-15 herë në vit me pushime. Këtu është një Amerikë e vërtetë, Amerikën e gjeta këtu. I bëj thirrje njerëzve të kthehen sepse këtu ka shumë opsione, shumë mënyra për të bërë sukses.