Ambasadorja Kim i shkon Bashës tek PD: Qëndro në tryezë, përfundo kodin zgjedhor

532
0

Reforma zgjedhore dhe kushtet që opozita ka për zgjidhjen e krizës politike mendohet se kanë qenë në fokusin e një takimi 25-minutësh që Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim pati me liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Takimi vjen në vazhdën e turit të prezantimeve që Kim ka ndërmarrë pas nisjes zyrtare së punës si ambasadore në Tiranë.

Në një postim në Twitter, Ambasada Amerikane në Tiranë njoftoi se gjatë takimit të saj sot me Kryetarin e PD Lulzim Basha, Ambasadorja Kim nxiti të gjitha palët të qëndrojnë në tryezë dhe të përfundojnë një kod zgjedhor. Ambasadorja gjithashtu konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet dhe praktikat demokratike në Shqipëri.

“Gjithçka po bëhet për t’u dhënë shqiptarëve një rrugë shprese”, deklaroi kryedemokrati pas takimi me ambasadoren amerikane. Kjo e fundit, përpara se të vinte në Shqipëri, ka premtuar para Senatit amerikan se në fokusin e misionit diplomatik do të jetë zgjidhja urgjent e ngërçit politik në Tiranë.

Kreu demokrat Lulzim Basha ka pasur një agjendë të ngjeshur sot ku ka pasur takime me presidentin e Parlamentit Eurpopian, Davide Sassoli dhe me delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës. Pas këtyre takimeve kryedemokrati është shfaqur optimist. Ai paralajmëroi se dita nuk ka mbaruar dhe se do të ketë plot zhvillime dhe lajme duke mos bërë të qartë se çfarë do të bëhet konkretisht.

“Ju siguroj që dita e sotme është e zhvillimit politik dhe çfarë ajo do të vijë do jetë plot me lajme dhe zhvillime. Çdo gjë që po bëhet është t’i jepet shqiptarëve një rrugë shprese dhe zhvillimi. Të gjitha takimet që bëhet sot po bëhen për të mirën e shqiptarëve dhe do vijoj t’ju informoj më vonë”, tha Basha.

Pasditen e sotme Basha zhvilloi edhe një takim me krerët e partive aleate ku në fokus ka qenë qëndrimet që do të mbajë opozita për reformën zgjedhore.

Gjatë këtyre ditëve, Kim ka pasur takime me kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, pothuasje me të gjithë ministrat e qeverisë, si dhe me prokurorin e Përgjithshëm, Olsjan Çela dhe me kreun e SPAK, Arben Kraja.

Disa më parë Kim organizoi edhe një pritje me deputetë e politikanë, ku prezantoi edhe tre synimet kryesore të saj gjatë ushtrimit të mandatit si ambasadore e SHBA-ve. Fokusi primar është reforma në drejtësi, mbështetja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.