Alarm nga QSUT: S’keni parë gjë akoma! Tre vitet e fundit ikën nga Shqipëria më shumë se 600 mjekë

513
0

Situate e pazakontë për spitalin më të madh në vend. QSUT po vuan pasojat e emigracionit të mjekëve. Tre vitet e fundit kanë ikur nga vendi më shumë se 600 mjekë. Mjeket po ikin, ata që ikën po marrin dhe familjet me vete.

Gjatë vitit të kaluar, në Pavijonin e Pediatrisë, në Qendrën Shëndetësore “Nëna Tereza” u desh shumë për të mbuluar vendin vakant nga jashtë vendit e një mjeku të ri.

Kjo ishte e pazakontë për spitalin më të madh në vend, pasi kërkesa për punësim në këtë qendër është gjithmonë e lartë. Teksa edhe QSUT po vuan pasojat e emigracionit të mjekëve, spitalet e rretheve paraqiten me mungesa të mëdha.

Kryetari i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Ibrahimi, tha se edhe në Shqipëri, si në të gjitha vendet e Europës Lindore, ka një tendencë të largimit të mjekëve drejt Perëndimit, si një e drejtë themelore e individëve për lëvizje të lirë dhe kushte më të mira jetese. Zoti Ibrahimi thotë se, ikja e mjekëve po shihet me shqetësim, pasi përgatitja e tyre është me kosto, kërkon kohë dhe zëvendësimi nuk është i lehtë.
Të dhënat konfidenciale nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se tre vitet e fundit kanë ikur nga vendi më shumë se 600 mjekë. Deri në fund të vitit 2016, Urdhri i Mjekut referoi se ishin tërhequr rreth 400 referenca nga mjekët për të ikur jashtë vendit, ndërsa në vitin 2017 janë tërhequr rreth 170 referenca të tjera.

Sipas të dhënave kanë ikur më shumë se dy breza të mjekësisë, pasi në një vit diplomohen mesatarisht rreth 250 studentë. Pjesa më e madhe e tyre aplikojnë direkt për të ikur jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, pa u ofruar më parë në tregun vendas të punës. Situata po shndërrohet në alarmante, teksa spitalet në rrethe janë pothuajse pa staf. Në spitalet e Sarandës, Përmetit, Dibrës etj., mungojnë të gjitha specialitetet.

Zoti Ibrahimi tha se në Shqipëri ka paragjykim të theksuar ndaj mjekëve, sidomos për korrupsionin dhe, nga ana tjetër, nuk ekzistojnë ligjet për mbrojtjen e tyre. Trajtimi i dobët financiar, mungesa e mbështetjes morale, po i shtyjnë mjekët të largohen nga vendi për të kërkuar një standard të mirë ndaj vetes dhe profesionit ndaj tyre. Ibrahimi thotë se të jesh mjek nuk është profesion i lehtë, por gjithashtu të bëhesh mjek ka kosto. Prandaj gjermanët kërkojnë mjekë nga Lindja, pasi nuk preferojnë ta ushtrojnë këtë profesion.

E njëjta situatë, edhe për infermierët. Vitin e kaluar kanë kërkuar referencë më shumë se 600 infermierë, tha Sabri Skënderi, Kryetar i Urdhrit të Infermierit. Jo i gjithë ky kontingjent ka ikur nga vendi, por gjithsesi janë në procedura për t’u larguar ose në përpjekje për të siguruar kontratat e punës. Në aspektin ekonomik, ky është një investim i humbur i shtetit shqiptar pasi, ata janë arsimuar me kontributin e taksapaguesve shqiptarë, thotë zoti Skënderi.

Mirëpo në Shqipëri, tregu ka aktualisht mbifurnizim me infermierë dhe jo të gjithë ata që mbarojnë studimet në këtë degë integrohen në tregun vendas të punës. Sektori publik nuk po zgjerohet dhe privati gjithashtu shihet së është maturuar disi, prandaj shumica shohin si zgjidhje largimin nga vendi. Në aspektin social dhe individual, kjo është një zgjidhje e drejtë e tyre në drejtim të përmirësimit të standardit të jetesës dhe rritjes profesionale.

“Në këtë aspekt, ne duhet të bashkëpunojmë më shumë me vendet pritëse të infermierëve tanë, si p.sh. Gjermania, me qëllim që ata të investojnë që në procesin arsimor shqiptare në mënyrë që të marrin një trupë të kualifikuar”, tha ai.

Profesor Kosto Bajraba, në një studim të posaçëm për emigracionin e “trurit”, ka gjetur se gjatë periudhës 1990-2003, rreth 45% e profesorëve dhe kërkuesve në universitete dhe institucione emigruan, ashtu si dhe më shumë se 65% e dijetarëve që morën doktoraturë në Perëndim në periudhën 1980-1990. Edhe mijëra të diplomuar në universitet u larguan. Shumica morën anëtarë të familjes së tyre, referon më tej Bajraba.

Sipas studimit të tij, arsyeja për këtë migrim është mungesa e mundësive për punësim në Shqipëri. Nëse gjendja ekonomike dhe sociale e vendit nuk përmirësohet, ikja e trurit në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një shqetësim, pasi legjislacioni shqiptar aktualisht nuk paraqet pengesa për migracionin dhe faktorët ndikues duket se do të vazhdojnë të tërheqin të arsimuarit.

Ky zhvillim ka kosto sociale dhe ekonomike për Shqipërinë. Emigrantë me kualifikim të lartë në SHBA dhe Kanada po marrin me vete një sasi të konsiderueshme parash, që përfaqëson një eksport neto të kapitalit.
Për më tepër, studimet tregojnë se jashtë vendit, shumë emigrantë me arsim të lartë nuk punojnë në fushat e tyre të specializimit, duke përfshirë 74% në Greqi, 67% në Itali, 58% në Austri dhe 70% në Shtetet e Bashkuara./monitor/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.