Aktorja Drande Xhaj tregon porosinë e fundit të Zef Dedës

2525
0

Drande Xhaj, partnerja në skenë e Zef Dedës i cili u nda nga jeta ditën e premte, e konsideron fat të madh që ka punuar me të për 45 vite. Ajo shprehet në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se përveçse artist, për të ishte mësues, koleg e thuajse një prind.

Drande Xhaj: U shua një yll, ra një meteor, u largua një gjigant i skenës së humorit. Është një humbje e madhe për gjithë komunitetin e artistëve, por jo vetëm. Për të gjithë Shkodrën, për gjithë shqiptarinë kudo që janë sepse Zefi ishte idhulli i të gjithëve. Ka qenë fat i madh për mua që prej 45 vjetësh të punoj me një artist të shquar siç ishte Zef Deda që për mua ka qenë një mësues, një koleg, gati-gati edhe një prind i mrekullueshëm.

Xhaj kujton edhe takimin e parë me aktorin e madh. Ajo kthehet në ditën kur do të prezantohej si aktore profesioniste dhe do të kishte mundësinë të punonte me më të mirët e humorit.

Drande Xhaj: Kur kam hyrë në studio, emocioni im ishte i jashtëzakonshëm, por kur mu afrua Zef Deda, më pa, më përqafoi, atëherë ishte djalë i ri. Unë u skuqa dhe më tha “u, Orande Xhaj”, tha.

Aldo: Orande? Pse?

Drande Xhaj: I thashë nuk e kam Orande, e kam Drande. “E di unë se si e ke emrin” tha, “por mua më pëlqen të të thërras kështu”. Dhe nuk e takoj asnjëherë takimin e parë me Zef Dedën dhe kolegët e mi. Aty startoi jeta ime artistike. Për mua ishin një akademi e gjithë kjo trupë e mrekullueshme.

Momentet e lumtura me Mjeshtrin e Madh nuk kanë munguar. Ai gjente gjithnjë një mënyrë që të tjerët të ndiheshin mirë, të qeshnin, të dhuronte energji pozitive dhe të shpërndante mirësinë e tij. Aktorja i është mirënjohëse mikut të saj që iu gjend pranë në një prej momenteve më të vështira.

Drande Xhaj: Zefi nuk ishte vetëm një koleg për mua ose për ne. Ai ishte edhe një pjesë e familjes. Ne me Zefin i ndanim të gjitha gazëimet, brengat, hallet e gjithçka ndanim me Zefin sepse ai ishte ngushëllimi më i mirë edhe për fatkeqësitë tona. Unë nuk mund ta harroj kurrë, para gati 17 vitesh më vdiq bashkëshorti dhe Zefi më vinte çdo ditë në shtëpi dhe më thoshte “dil nga shtëpia, do vish në teatër, dil nga shtëpia, hajde se kemi prova”. Donte me çdo kusht që të më nxirrte, mos të më linte në atë mërzinë time, vinte dhe në ato momente që vinte aty në shtëpi, unë e kisha shtëpinë plot me njerëz dhe ai përpiqej që të më nxirrte nga ajo mërzi që kisha dhe të krijonte edhe aty situata humori. Këtë nuk do t’ia harroj kurrë sepse po them, ka qenë përveçse koleg, ka qenë edhe artist në shpirt.

Në takimin e fundit dy ditë përpara ndarjes  nga jeta, Drande Xhaj e Zyliha Miloti u përpoqën t’i jepnin shpresë, por Zef Deda e dinte se kishte ardhur koha të largohej e të linte pas një histori të jashtëzakonshme dhe një porosi të fundit.

Drande Xhaj: Ai po të na shohë me lot në sy nuk do t’i vijë mirë, por e përballoi edhe vetë ai me shumë dinjitet ikjen sepse para se të vdiste, ai ishte shumë dinjitoz. I thamë ti Zef ke kaluar beteja shumë të mëdha, do ta kalosh edhe këtë.

Aldo: Eh, ishte i bindur.

Drande Xhaj: “Jo”, tha, “unë e di fundin, por mos harroni kurrë që estrada e Shkodrës të ringrihet”. Domethënë edhe në momentet e fundit ai kishte shqetësim problemin e estradës. Ky ishte artisti Zef Deda.