Aksidenti tragjik hekurudhor në Greqi, dëshmitë e para nga deshmitaret: “Nuk është gjaku im…”

151
0

Mediat greke kanë publikuar dëshmitë e para nga ngjarja tragjike e ndodhur orët e vona të së martës në Larisa të Greqisë. Dy trena, një udhëtarësh dhe një tren mallrash u përplasën kokë më kokë, në dalje të qytetit, në rrethana ende të paqarta.

Si pasojë e përplasjes, të paktën 3 vagonë të trenit të udhëtarëve dolën nga shinat dhe u përfshinë nga flakët. Pamjet që vijnë nga vendngjarja janë të rënda. Vagonët janë shndërruar në një masë pa formë.

Të dhënat e deritanishme flasin për të paktën 29 viktima e mbi 85 të plagosur.

Një dëshmitar tregoi për Protothema momentet e përplasjes.

“Hipa në tren në stacionin e Larisas, ku erdhi me të paktën 1 orë vonesë. U nisëm, isha ulur në vagon kur papritur dëgjuam një zhurmë nga përpara. Vagoni u shkund dhe shumë pasagjerë fluturuan në ajër duke u plagosur. Njerëzit nisën të bërtisnin. Nuk jam i plagosur, por jam i mbuluar nga gjaku i të plagosurve që ishin pranë meje”, rrëfeu dëshmitari.

Në trenin e udhëtarëve raportohet se ndodheshin të paktën 350 persona.

Aktualisht operacionet e shpëtim kërkimit vijojnë. Në vendngjarje janë me dhjetëra ambulanca, zjarrfikëse e forca policie. Aksidenti ndodhi pak pas orës 23:00 me orën lokale.