Eduart Shaka, 44 vjeç ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në Itali.
Sipas mediave vendase, policia e gjeti Shakën jashtë makinës së tij, disa metra më tutje pas përplasjes kokë më kokë me një makinë që vinte nga ana e kundërt.
Nga hetimet paraprake rezultoi se 44-vjeçari shqiptar, banues në Nervesa della Battaglia, nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Drejtuesi i Golfit që u përplas me Fiat Punto-n e shqiptarit është nën hetim.
Bëhet fjalë për një 53-vjeçar nga Carbonera. Golfi i drejtuar nga 53-vjeçari, ndodhej në korsinë e kundërt për arsye ende të paqarta, dhe u përplas kokë më kokë me Fiat Punton e Shakës.
Ndërsa përplasja ishte fatale për shqiptarin, 53-vjeçari mori dëmtime të lehta dhe u transportua në spitalin e Trevisos.
I lindur në Durrës, Eduart Shaka, i cili jetonte me vajzën e tij, u transferua në Itali në vitin 2010.