Aksident fatal/ Mbi 280 viktima nga përplasja e trenave

1078
0

Të paktën 280 persona kanë humbur jetën dhe 900 të tjerë kanë mbetur të lënduar pas përplasjes së dy trenave me pasagjerë në shtetin Odisha të Indisë.

Ky është aksidenti më i rëndë hekurudhor që ka ndodhur në vend në thuajse 20 vite.  

Coromandel Express, që udhëton nga Kolkata në Bengalin Perëndimor për në Chennai, Tamil Nadu, po ecte me 130km/h kur u përplas me një tren të stacionuar mallrash rreth orës 19.00 të pasdites me orën lokale.

Disa vagonë të trenit të mallrave u përplasën më pas me dy vagonë të një treni tjetër pasagjerësh që po udhëtonte në drejtimin e kundërt.

Rajesh Kumar, zëvendësmenaxheri i lartë komercial i Hekurudhave Juglindore, tha se Coromandel Express kishte ndryshuar shinat, gjë që çoi në aksidentin fatal. Ndërkohë kanë nisur hetimet.

Bilanci i viktimave pritet të rritet teksa operacionet e shpëtimit vijojnë në vendin e ngjarjes. Në vendin e përplasjes, sipas raportimeve, ndodhen 200 ambulanca, 180 mjekë ndërsa 850 persona janë dërguar në spital.