Ai e lëndoi në mënyrën më të keqe, ajo mes lotësh: Ia kam bërë hallall

360
0

Në studion e “Shije Shtëpie” të ftuarit folën sa i përket hakmarrjes dhe faljes dhe se cilën prej tyre duhet të zgjedhe njeriu në rastet e padrejtësive që mund t’u ndodhin.

Një telefonuese e cila mes lotësh ndau një histori të sajën personale u shpreh se pavarësisht lëndimeve nga më të këqijat nga njeriu u zemrës ajo nuk zgjodhi që të hakmerrej. Edhe pse është ende e lënduar, ajo thotë se ndjesia e urrejtjes dhe së keqes nuk duhet të jenë pjesë të sajat.

“Doja të thoja diçka në lidhje me faljen. E kam shumë personale dhe të më falni sepse jam shumë e prekur. Jam duke jetuar ende me një marrëdhënie zhgënjyese. Por, gjithë këto kohë kam kuptuar diçka, që të falësh është më e mira sepse në momentin që ke falur ke bërë paqen me veten. Çdo hidhërim, çdo ndjesi e keqe, ti mendon se po ia bën palës tjetër, por ndërkohë je duke ia bërë vetes. Je duke prishur paqen me veten, paqen me shëndetin dhe mirëqenien fizike. Kam arritur në një pikë që çfarëdolloj hakmarrje, t’ia kthesh tjetrit, gjësë së parë që i ke bërë keq është vetja. E kam fjalën për personin e zemrës që më ka lënduar dhe më ka lënduar në mënyrën më të keqe. Edhe pse bëra të gjitha përpjekjet e mia për të mbajtur me forcë diçka që nuk po funksiononte dhe doja të hakmerresha ndaj asaj të keqe që mu bë, kam arritur në një pikë që ia kam bërë hallall të gjitha. Ia kam harruar të gjitha, ia kam fshirë të gjitha sepse unë besoj në një Zot. Lëndimi është ende, por ndjesia e hakmarrjes, e urrejtjes dhe e ligësisë nuk dua të jenë pjesë e natyrës sime sepse unë nuk jam kjo, nuk dua të jetoj në këto emocione,” u shpreh telefonuesja.

E prekur padyshim nga historia, moderatorja e programit Katerina Trungu nuk nguroi që të shprehte disa fjalë zemre.

“Zemra ime, rruga që ne bëjmë është një rrugë shumë e gjatë dhe në të ne do të takojmë qindra njerëz. Ato do të kenë formën e tyre, do të shkruajnë historinë e tyre në jetën tonë. Por ti ke rrugën tënde, do të shkosh në destinacionin tënd dhe destiancioni yt duhet të jetë lumturia, paqja jote dhe ta dashurosh veten tënde e ata që të duan,” tha Katerina Trungu.