Java nis nën ndikimin e temperaturave të ulëta dhe reshjeve. Meteorologu Hakil Osmani thote se e hëna ka sjellë rënie të temperaturave dhe në disa zona malore, do të rishfaqen dhe reshjet e dëborës. E njëjta situatë do të vazhdojë edhe gjatë ditës së martë që do të shënojë sërish rënie të temperaturave me të paktën 3-4 gradë.
E mërkura përbën ndryshime pasi do të shënojë edhe vlera negative në zonat malore, por përgjatë ditës moti përmirësohet dhe termometri do të tregojë rritje të gradëve. Kjo situatë do të na shoqërojë deri ditën e premte pasi temperaturat maksimale do të jenë 18-19 gradë.
Sa u përket kushteve atmosferike, sot e nesër mbetemi në zotërimin e vranësirave të shpeshta të cilat do të bëjnë që herë pas here në territorin shqiptar, në ultësirën perëndimore të kemi momente të pakta me reshje shiu, reshjet do të jenë të karakterit lokal, ndërsa sa u përket zonave malore të thella, kryesisht në verilindje, do të kemi rishfaqje të reshjeve të dëborës. Kjo vjen si pasojë e rënies së menjëhershme të temperaturave të ajrit që mëngjesin e sotëm kanë shënuar 4 gradë Celsius në qytetet e zonave malore, ndërsa sa u përket maksimumeve janë jo më shumë se 16 gradë në ultësirën perëndimore.
Dita e martë do të sjellë një rënie të temperaturave të ajrit, më e ndjeshme në orët e para të mëngjesit me të paktën 3-4 gradë Celsius duke bërë që vlerat minimale të regjistrohen në 0 apo 1 gradë Celsius në qytetet e zonave malore ndërsa maksimumet do të jenë jo më shumë se vlera 13 gradë Celsius të regjistruara në vijën bregdetare. Sa u përket qyteteve të zonës së ulët, përfshirë edhe kryeqytetin temperaturat do të jenë në 10-12 gradë Celsius.