Abuzim me pronat, Frrokaj e 12 të tjerë në pranga, 11 në kërkim

580
0

LEZHE – Arrestohet kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj për shpërdorim detyre. Report Tv mësoi i pari ekskluzivisht prangosjen e kryebashkiakut i zgjedhur në qershor 2015 si përfaqësues i Partisë Demokratike. Frrokaj akuzohet për tjetërsim të pronave në zonën e quajtur “Rana e Hedhun”, ndërsa dosja në ngarkim të tij është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Dokumenti me firmen e Fran Frokajt që konfirmonte në mënyrë të rreme se toka ranore ishte tokë bujqësore është prova më e fortë që e lidh kryetarin e bashkisë Lezhë në këtë abuzim me pronat.

Report Tv ka siguruar edhe pamjet e momentit të arrestimit të kryebashkiakut të Lezhës. Në pamjet ekskluzive duket Frrokaj teksa ecën në këmbë pasi ka lënë zyrën në Bashki, i shoqëruar nga pesë efektivë policie civilë, ndërsa pak metra më andej presin dy automjete të policisë. Në pranga ka rënë edhe nënkryetari i Bashkisë, Enver Hafizi, dy zyrtarë bashkiakë, ish-kreu i Hipotekës dhe dy juristë, ndërsa prokuroria ka lëshuar 23 urdhërarreste. 12 janë vënë pranga, ndërkohë që janë në kërkim 11 të tjerë.

Pas arrestimit të kryebashkiakut të Lezhës dhe 11 personave të tjerë, me urdhër të Prokurorisë janë sekuestruar pesë parcela toke me një sipërfaqe prej 258 324 m2.

Drejtori i policisë së Lezhës Ferdinand Mara dhe Drejtori i Krimit Ekonomik në këtë polici Lufti Minxhozi kanë dalë sot në konferencë për shtyp lidhur çështjen e mashtrimit me pronat në Shëngjin, duke dhënë të gjitha detajet e hetimit dhe të operacionit policor. Disa nga të arrestuarit apo ndaluarit qofshin ata funksionarë publikë apo përfitues të paligjshëm të pronave, nuk ishin nga Lezha, por edhe nga qytete si Mamurrasi, Shkodra, apo Gramshi.

Të arrestuar janë:

1. Fran FRROKAJ, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lezhe.

2. Enver Hafizi, 62 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Nenkryetar i Bashkisë Lezhë

3. Gjok Ndoka, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar Këshillit të Qarkut Lezhë

4. Adenis Haxhia, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyre jurist pranë Bashkisë Lezhë.

5. Dilaver Neli, 56 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes së Tokës të Këshilli Qarkut Lezhë,

6. Enkelejd Zefi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist hartograf pranë ZVRPP Lezhë.

7. Pjeter Gjoni, 68 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, përfitues tokë në mënyrë të paligjshme.

Me masën e sigurisë personale “Arrest në shtëpi” për zyrtaret:

8. Gjelina Baca, 58 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkine Lezhë.

9. Juxhina Mema, 25 vjeçe, lindur dhe banues në Gramsh, me detyrë ish- specialiste në Drejtorinë e Bujqesisë në Bashkinë Lezhë

10. Marte Gjergji, 50 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë topografe pranë Bashkisë Lezhë.

11. Frrok Frroku, 75 vjeç, me banim në Bashkinë Mamurras, ka përfituar tokë në menyrë të paligjshme.

12. Luigj Paloka, 76 vjeç, me banim në Shkodër, ka falsifikuar aktet.