“A jeni pro serb”? Rama shtang gazetarët në Kosovë: “Më shumë se kaq, jam vëllau i Vuqiqit”

215
0

Kreu i qeverise Edi Rama është pyetur nga një gazetar në Prishtinë lidhur me qëndrimet e tij nëse është pro Serbisë.

Në konferencën për shtyp së bashku me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti pas firmosje së marrëveshjeve mes dy qeverive, Rama u përgjigj me ironi duke thënë se është “vëllai i Presidentit serb Vuçiç”.

“Për të ardhur te proserbizmi im, unë jam më shumë se kaq, jam vëllau i Vuqiqit. Por përtej kësaj, dua të them këtë që këndvështimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar aq më tepër në kontekstin e sotëm. Na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha ato mundësi që integrojnë këtë pjesë të Europës që jo pa arsye është dhe pjesa më e prapambetur historikisht në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror.

Nuk hyj në çështjen e administrimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk besoj asnjë sekondë që qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë dëmton qasjen apo qëllimin përfundimtar. Janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtit qëllim, që është zgjidhja përfundimtare, njohja e Kosovës nga Serbia.

Thënë të gjitha këto, unë dua ta përsëris që me Albinin e kemi një marrëdhënie që është e kahershme, shumë miqësore dhe që do jetë e tillë gjithmonë. Juve ju duket si shaka, ne jemi njerëz me bindje të forta. Ne jemi të qetë mendoj unë dhe këtë e tregon fakti që po të jeni kur ne jemi bashkë dhe të shikoni volumin e qeshjeve edhe autoironisë që na bashkon, mbase do habiteni dhe pastaj do thoni që jo mo vlla ky nuk qenka vëllai i Vuqiqit, qenka vëllai i Albinit”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.